Arben Taravari emërohet ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut

Arben Taravari ka njoftuar të dielën në mbrëmje (23.06.2024) se sapo është emëruar ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

“Për mua është privilegj dhe përgjegjësi. I uroj punë të mbarë Ekipit Tonë dhe të gjithë Ekipit Qeveritar” – tha Taravari.

Ai shtoi se kur u diplomua si mjek, u betua se do të jem në shërbim të njeriut dhe shëndetit të tij pa asnjë dallim dhe me çdo mundësi.

Ai tha se sot betohet njësoj si atëherë se do të jem në shërbimin e qytetarëve me të njëjtin përkushtim.

Më 22.06.2024, mandatari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re tha se Qeveria e re do t’i ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme.

Pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Edhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, janë zotuar se do të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ishte në pushtet që nga viti 2002.

Mickoski: T’i përveshim mëngët, të luftojmë krimin dhe të punojmë për qytetarët