Romët në Elbasan: Ose na paguani, ose na hapni tregjet, ndryshe do vdesim për bukë

Sami Hasani është kryefamiljar në një familje prej 7 anëtarësh. Ai tregon se e vetmja gjë që ka në shtëpinë e tij në lagjen Emin Matraxhiu në Elbasan është një gjysmë thesi miell.

“Më parë shisnim diçka përreth stadiumit por tani nuk fusim asnjë lek në xhep,” tregon Hasani. “Kemi mbi një muaj e gjysmë të mbyllur,” shtoi ai.

Tregjet ku tregtoheshin rrobat e përdorura në Elbasan janë mbyllur nga bashkia si pjesë e masave shtrënguese të distancimit social që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri SARS-CoV-2.

Sipas një studimi të PNUD të vitit 2017 në Elbasan ka 1075 familje rome. Për të ndihmuar familjet në nevojë, qeveria ka dyfishuar ndihmën ekonomike dhe ka filluar një operacion për shpërndarjen e ndihmave ushqimore.

Por në Elbasan ndihma ekonomike është vonuar këtë muaj, duke i çuar dhjetëra kryefamiljarë të mërkurën në protestë pranë sporteleve të Postës dhe më pas drejt bashkisë së Elbasanit.

“Kam parë maune që lëvizin dhe të gjitha ata që kanë lekun vazhdojnë të punojnë, ndërsa ne që nuk kemi mbledhur dhjam që ta tresim në këto kohë, jemi pa punë e pa mbështetje,” u ankua Sami Hasani, duke shtuart se në lagjen ku komuniteti rom banin nuk kanë ardhur ndihma.

“Kemi dëgjuar që kanë shkuar në pjesën sipër por këtu nuk është parë njeri,” shpjegoi ai.

Para dyerve të bashkisë, kryefamiljarët paralajmëruan ngritjen e të gjithë lagjes në protestë nëse nuk marrin ndihmën ekonomike të dyfishuar. Ata kanë kërkuar gjithashtu të përfshihen në të ashtuquajturën “pagën e luftës” si bizneset e vogla.

Servete Rakipi – njëra prej protestuesve, tha ndërsa mbante në dorë listat e blerjeve veresi se familjet rome janë familje të mëdha dhe ato pak ndihma që janë shpërndarë nuk mjaftuan as për ditët e para.

“Nuk mund të mbahemi ne me një kile vaj, një kile miell, sheqer e ndonjë makaronë,” tha jo,  duke shtuar se familjet e tyre kanë nevojë dhe për perime të cilët nuk kanë para t’i blejnë.

Servetja, u ankua se ndihmën ekonomike të rritur siç e ka deklaruar kryeministri nuk e kanë marrë.

“Ju lutem shtetit të na japë lekët,” tha ajo. “Nuk duam ndihma pasi ato janë sa për të larë gojën,” shtoi ajo, duke nënvizuar se nuk mund të “jetojmë vetëm me miell e makarona”.

Ndërkohë të tjera kanë kërkuar hapjen e tregjeve, që të kenë mundësi të shesin diçka për të mbajtur familjet.

“Ne mbahemi me ato pak para të shitjes së ditës. Si mund të jetojmë edhe nëse marrim 60 mijë [lekë] të vjetra ndihmë ekonomike me dyfishimin që i ka bërë qeveria,” tha Avniu, një tregtar këpucësh.

“I lutemi shtetit, bashkisë kujtdo ose të hapë tregjet e të fillojmë punën, ose të na paguajë ndryshe do vdesim jo nga virusi por për bukën e gojës,” shtoi ai.

Nënkryetari i bashkisë Elbasan, Ervin Saraçi ka deklaruar se vonesa e shpërndarjes së ndihmës ekonomike ka ardhur për shkak të një problemi me thesarin. Ai i premtoi se situata do të zgjidhet shumë shpejt dhe paratë do të shkojnë pranë këtyre familjeve në një kohë të shkurtër. (reporter.al)