Robertson tregon se si mediat ruse e keqpërdoren fotografinë ku ai shihej duke luajtur me fëmijët e Poklekut

Ish-sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson, në emisionin “KallxoPërnime”, ka treguar se si ishte keqpërdorur nga mediat ruse një fotografi e shkrepur gjatë një aktiviteti që kishte zhvilluar bashkë me fëmijët në një shkollë në fshatin Poklek të Drenasit në vitin 2000.

Ai tha se atë ditë kishte rastisur që të jetë “Dita e Hundës së Kuqe”, që festohet në Angli dhe fëmijët në Poklek i kishin kërkuar që edhe ai të vendoste hundë palaçoje për t’u argëtuar.

Por, sipas tij, mediat ruse e publikuan këtë foto kinse “po talleshim me viktimat e bombardimit”.

Ai tha se qëllimi i mediave ishte të përqeshnin Sekretarin e NATO-s.

“Ishte përvjetori i parë i bombardimeve në vitin 2000. Unë sapo mora detyrën e Sekretarit të përgjithshëm. Pokleku është fshat të cilin e kishin sulmuar paramilitarët serbë. Atje kishin vrarë 20 fëmijë, sa kishin qenë në shtëpi me familjet e tyre. Ky kishte qenë krim i llahtarshëm lufte dhe ne ishim atje në nderim të tyre me rastin e përvjetorit të bombardimeve. Por, kishte rastisur që në Angli të jetë një ditë humori, ‘Dita e Hundës së Kuqe’, ku grumbullohen fonde humanitare. Gjatë kësaj dite njerëzit vendosin hunda palaçoje, dhe fëmijët i kishin vendosur ato gjithashtu për ta relaksuar mendjen, dhe ata deshën që edhe ne t’i vendosim ato”, ka rrëfyer Robertson.

“Njeriu mund të jetë edhe shakaxhi, por edhe serioz, dhe unë ashtu isha, sepse ngjarja që kishin përjetuar këta fëmijë ishte e tmerrshme. Fëmijët ishin e ardhmja e vendit, prandaj unë thjesht iu bashkëngjita aktivitetit relaksues, bashkë me Gjeneralin Reinhardt, Gjeneralin Wesley Clark, por, çdo media ruse publikoi foto kinse ne po talleshim me [viktimat e bombardimit]”-  është shprehur ai.

24 vite pasi ka ndodhur ngjarja, Lordi Robertson thotë se nuk është bërë pishman aspak që kishte bërë atë veprim.

Ai ka treguar që ka qenë serish në atë shkollë të Poklekut dhe se aty i është dhuruar një pikturë e punuar nga nxënësit të cilën ai e mban në zyrën e tij.

“Kam qenë sërish në atë shkollë, madje ma dhuruan një pikturë që e kishin punuar nxënësit, piktura paraqet lule mbi eshtrat e trupave të vrarë. E kam të varur pikturën në zyrën time në parlament si rikujtim. Të gjithë vizitorëve në zyre u them ta shikojnë dhe do ta përmendi atë edhe kur të mbaj fjalimin para parakalimit. Ajo më ka lënë edhe mbresa të këqija por edhe shpresë”- ka thënë ai.

Robertson ka deklaruar ajo çfarë ka ndodhur në Poklek është “histori shumë e tmerrshme, por edhe pak shpresë kur fëmijët qeshën bashkë me ne kur vendosëm hundët e kuqe atë ditë”.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.

Për “kontributin e lartë për lirinë e Kosovës”, atij i është ndarë Medaljen e artë të lirisë” nga ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në vitin 2019, Robertson është dekoruar edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me medaljen “Skënderbeu”.