Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Riparimi i bllokut B2, KEK-ut i kishte kushtuar gati 5 milionë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i kishte kushtuar 4 milionë e 867 mijë euro, riparimi i turbinës së bllokut B2 të Termocentralit Kosova B.

Sipas Raportit të Auditimit, KEK-u e kishte bërë riparimin kapital të turbinës së bllokt B2 me kontratë të negociuar pa publikim, në vitin 2019.

Një kontratë e tillë, sipas Auditorit, ishte arsyetuar me faktin se turbinës nuk mund t’ia bëjë riparimin kapital askush përveç prodhuesit.

Kompania që e kishte fituar kontratën i kishte bërë riparimet e nevojshme, kosto e të cilave, sipas Auditorit, kishte arritur në 3.62 milionë euro, si dhe punë shtesë 998 mijë e 676 euro.

Turbina ishte funksionalizuar në fund të vitit 2019.

Por pas dy viteve, turbina ishte dëmtuar dhe për këtë ishte nevojitur edhe një intervenim tjetër të cilin e kishte kryer po e njëjta kompani.

Kjo, thekson Auditori, i kishte kushtuar KEK-ut edhe 248 mijë e 650 euro që në total riparimi i bllokut B2 të Termocentralit Kosova B, ka kushtuar 4 milionë e 867 mijë euro.

Në muajin dhjetor të vitit 2021, blloku B2 i Termocentralit Kosova B kishte rënë nga funksioni, pikërisht në pikun e krizës energjetike në vend.

Për këtë, ishte angazhuar një ekspert nga kompania që kishte punuar më herët aty, duke u paguar 248 mijë euro nga KEK-u.

Blloku B2 ishte kthyer në funksion me 23 janar të vitit 2022.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për KEK-un, mund ta gjeni KËTU.

Riparimi i dëmeve në TC “Kosova B”, eksperti gjerman do të paguhet mbi 248 mijë euro nga KEK-u

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.