Rinia e partisë në pushtet në Gjermani akuzon Lajçakun për anim nga Serbia

Krahu rinor i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), e cila është partia që udhëheq këtë vend, ka akuzuar emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak se po ia mban anën Serbisë.

Rinia e SPD-së ka shkruar në rrjetin social X për situatën në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit, me ç’rast ka kërkuar nga BE-ja që të marrë një qëndrim të qartë ndaj sulmeve terroriste serbe.

“Ne i bëjmë thirrje BE-së, në veçanti z. Borrell & Lajçak, dhe Qeverisë sonë federale që të marrin një qëndrim të qartë kundër sulmeve terroriste serbe. Besueshmëria veçanërisht e përfaqësuesit special të BE-së, Lajçak, që i pëlqen të qëndrojë me Serbinë, po humbet!”  – thuhet në këtë deklaratë.

Sipas tyre, BE-ja duhet të veprojë tani dhe të ndalojë planin destabilizues të Serbisë.

“Ne gjithashtu kërkojmë që Qeveria jonë të shprehë solidaritetin e saj thelbësor me Kosovën dhe Qeverinë e saj. Problemi është presidenti Vuçiq, i cili gjithashtu mban lidhje të ngushta me aleatin e tij Putin dhe vazhdimisht shkakton përçarje” – vazhdon më tej postimi.

Rinia e kësaj partie ka pyetur se kur do të veprojë Bashkimi Europian për të ndaluar politikën destabilizuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndërkaq ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me Qeverinë dhe popullin e tij janë përkushtuar vazhdimisht për vlerat e lirisë demokratike dhe BE-së, sipas tyre ndryshe nga Qeveria serbe.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kanë dënuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic e u plagos një tjetër.

2 ditë më pas Rohde tha se ky sulm terrorist nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit menjëherë.

Të shtunën, Zyra e Jashtme e Gjermanisë ka kërkuar që Serbia të pakësojë trupat e saj në kufirin me Kosovën, pa vonesë.

Millan Radoiçiq, i cili ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe në Kosovë ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit.

Ministria e Brendshme e Beogradit ka bërë sot zyrtare arrestimin dhe ndalimin e tij për 48 orë.

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq për lidhje direkte në këtë sulm, ndërsa ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë.