Reshitaj pas mbledhjes së komisionit: 50% e qytetarëve të karantinuar kanë qenë të sëmurë

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, pas mbledhjes së mbajtur sot ka thënë se të ftuar kanë pasur menaxherët e Qendrës Operative dhe karantinës që është në Qendrën e Studentëve.

“Në mbledhje kemi pasur për raportim menaxherin e qendrës operative, Pashk Buzhala dhe menaxherin e Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani dhe ne anëtarët e komisionit, kemi kërkuar në mënyrë të detajuar për të gjitha përgjegjësitë që kanë si udhëheqës dhe për të parë nëse ka pasur shkelje të procedurave gjatë menaxhimit të këtyre dy qendrave”, tha Reshitaj, deputete e AAK-së, para mediave.

Ajo tha se nga kjo mbledhje kanë ardhur në përfundim se 50 për qind e qytetarëve që kanë qëndruar në Qendrën e Studentëve, kanë qenë të sëmurë.

“Në bazë të informatave që morëm del se afër 50 për qind të qytetarëve që kanë qëndruar në Qendrën e Studentëve, thuhet se kanë qenë të sëmurë. Kjo shifër të lë të dyshosh nëse më shumë se gjysma që kanë qëndruar në karantinë paskan pasur arsye të sëmundjeve të ndryshme për t’u larguar”, ka shtuar Reshitaj.

Kryetarja e komisionit po ashtu shtoi se nga ky takim kanë kuptuar që nuk ka pasur koordinim të duhur mes institucioneve që merren me riatdhesimin e qytetarëve.

“Nga kjo mbledhje po ashtu kuptuam që në menaxhimin e gjithë kësaj hallke zingjirore ka pasur shkëputje të hallkave të bashkëpunimit, ka pasur standard të dyfishta të vendosjes apo të largimit të personave jashtë Qendrës”, tha më tej Reshitaj.

“Ka pasur raste që ende ne duhet të informohemi nga aktorët e tjerë përgjegjës në pjesën kur qytetarët kanë arritur në aeroport dhe janë kontrolluar nga ekipet mjekësorë, pasi që ka qytetarë që janë larguar menjëherë nga aeroporti ndërsa një pjesë tjetër në karantinë”, ka shtuar ajo.

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi është mbajtur e mbyllur për media si çdo mbledhje e komisioneve parlamentare pas pandemisë.

Për këtë, Demokraci Plus ka tërhequr vërejtje ndaj Kuvendit të Kosovës që të gjejë forma që të bëhet transmetimi i tyre online, për shkak të transparencës.

D+ reagon ndaj mbledhjeve të mbyllura për media të komisioneve parlamentare