Agron Bajraktari, Rektor në Universitetin e Ferizajt. FOTO :USHAF

Rektori me 8 shtëpi në pronësi

Rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari ka deklaruar pasurinë e tij për vitin 2023 në Agjencinë Kundër Korrupsionit(AKK).

Sipas deklarimit pasuria e paluajtshme e rektorit Bajraktari është gjithsej 1,750,734 euro, e cila përbëhet nga shtëpi, banesa, lokale dhe troje.

Rektori ka 12 prona të blera dhe tre prona të trashëguara.

Në pasurinë e paluajtshme janë të deklaruara 8 shtëpi me troje, 3 banesa, 3 troje dhe një lokal.

Rektori ka deklaruar në AKK se pasuri të luajtshme e ka një veturë Mercedes në vlerë 7 mijë euro e blerë nga kursimet familjare, ndërsa bashkëshortja e tiij ka një veturë Peugeot ne vlerë 16 mijë e 700 euro.

Bajraktari ka regjistruar edhe zotërim të aksioneve 100% në kompaninë “DR&EN” në vlerë 150 mijë euro.

Ndërsa, fëmija i tij ka zotërim të 50% të aksioneve në vlerë 200 mijë euro në kompaninë “Drunez”.

Në vitin 2022 Bajraktari ka marrë një kredi në vlerë 220 mijë euro, ndërsa në vitin 2021 një kredi tjetër në vlerë 355 mijë euro.

Në të ardhurat vjetore rektori ka deklaruar pagën në Universitetin e Ferizajt në vlerë 30 mijë e 814 euro. Ndërsa nga kompensimet nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është deklaruar shuma prej 1 mijë e 422 euro.

Për bashkëshorten ka deklaruar pagën në vlerë 5 mijë e 820 euro.

“Nga shitja e shtëpisë me sipërfaqe prej 269.80 m2, kam pranuar shumen prej 94,300.00 euro, e cila është paguar në llogarinë time në NLB dhe PCB. Gjatë vitit 2022, kam lëshuar Lokalin me qera 300.00 euro/muaj, e cila është paguar në llogarinë e bashkëshortes”- ka deklaruar Bajraktari.

Gjatë vitit 2022 rektori ka deklaruar se është kompensuar në vlerë 9 mijë e 51 euro për dëmet në bujqësi.