Pas raportimit të KALLXO.com, Universiteti i Ferizajt përmirësohet në respektimin e masave kundër COVID-19

KALLXO.com që nga muaji nëntor i vitit 2020 është duke monitoruar respektimin e masave kundër COVID-19 në shtatë universitetet publike në Kosovë.

Gjatë monitorimit në këta muaj është vërejtur se disa universitete vazhdojnë të kenë problemet e njëjta ndërsa disa janë përmirësuar pas raportimit të KALLXO.com.

Në mesin e universiteteve që nuk i ka respektuar disa prej masave të përcaktuara në “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” është edhe Universiteti i Ferizajt.

Nga nëntori i vitit 2020 deri në janar të këtij viti, Universiteti i Ferizajt nuk ishte duke i respektuar masat për vendosjen e udhëzuesve për respektim të masave anti-COVID-19, shenjëzimit nëpër korridore e klasa për mbajtjen e distancës, vendosjen e dezinfektuesve për përdorim nga studentët dhe stafi madje nëpër banjot e këtij universiteti nuk kishte as letra higjienike dhe as sapun të lëngshëm.

14.12.2020, Foto: KALLXO.com

Mirëpo, gjatë monitorimit të KALLXO.com në muajin shkurt është vërejtur se Universiteti ka filluar t’i respektojë këto masa.

Në derën kryesore të Universiteti dallohet lehtë udhëzuesi i vendosur për të paralajmëruar se “Ndalohet hyrja pa maskë”, në tavolinën e vendosur në anën e djathtë në hyrje të universitetit është vendosur dezinfektuesi dhe maskat me të cilat mund të pajisen studentët për të hyrë në provim.

Po ashtu, udhëzuesi me paralajmërimin se nuk lejohet hyrja pa maskë të shoqëron pothuajse në tërë objektin.

09.02.2021, Foto: KALLXO.com

Përmirësim është parë edhe nëpër banjot e këtij Universiteti.

Gjatë monitorimit në muajin nëntor e dhjetor 2020 dhe janar 2021, monitoruesja ka vërejtur që banjot e Universitetit të Ferizajt nuk kanë qenë të pajisura me sapun të lëngshëm dhe letër higjienike.

31.11.2020, Foto: KALLXO.com

Por gjatë monitorimit në muajin shkurt, KALLXO.com ka gjetur se tashmë këto banjo janë të pajisura me sapun të lëngshëm dhe letër higjienike, të cilat mund të shfrytëzohen nga studentët.

Sekretari i Universitetit të Ferizajt, Armend Hyseni, ka potencuar se në kohë provimesh objekti i Universitetit dezinfektohet tri herë në ditë dhe se ofrohen të gjitha shërbimet administrative për studentët.

09.02.2021, Foto: KALLXO.com

Nga 13 marsi e deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 69 mijë raste pozitive me COVID-19, mbi 1 mijë e 500 persona kanë vdekur si pasojë e virusit.

Aktualisht në nivel vendi rreth 7 mijë raste janë aktive me coronavirus, përderisa institucionet shëndetësore janë në pritje të furnizimit me vaksinën kundër COVID-19. Kosova është i vetmi vend në rajon i cili nuk është furnizuar me vaksinën anti-COVID.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes stërpikave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.