Reçica: Numri i personave me nevoja të veçanta në Kosovë konsiderohet të jetë deri në 200 mijë persona

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se legjislacioni i Kosovës është i përshtatur në masë të madhe me definimin që ka bërë në kuadër të aftësisë së kufizuar nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me nevoja të veçanta.

Reçica, tha se numri i personave me nevoja të veçanta në Kosovë konsiderohet të jetë deri në 200 mije persona.

“Numri i personave me aftësi të kufizuar në Kosovë konsiderohet të jetë prej 150 mijë deri në 200 mijë persona dhe llojet dallojnë me njëra tjetrën dhe dallojnë edhe nevojat specifike të këtyre grupeve për tu përfshirë në jetën publike e shoqërore”, tha ai.

Ndërsa në Botë sipas tij është rreth 10 për qind e popullësisë së gjithmbarshme.

“Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerësohet se numri i personave me aftësi të kufizuar të çfarëdo lloj natyre qofshin ato përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së gjithmbarshme botërore”, tha ai.

Ministri Reçica, tha se gjendja e tanishme e personave me nevoja të veçanta nuk përmbush realizimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore në kushte të barabarta me të tjerët.

“Andaj si rrjedhojë gjitha institucionet dhe shoqëria në përgjithësi janë përgjegjëse për garantimin e kësaj të drejte e cila arrihet vetëm duke e eliminuar çdo lloj pengese dhe barriere që krijon vështirësi në respektimin e parimeve të mos diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Ministri shtoi se Kosova ka akoma shumë punë dhe përpjekje për të bërë.

“Ne si Ministri e Punës kemi hartuar projektligjin e ri për personat me aftësi të kufizuar të cilin do ta miratojmë së shpejti në qeveri e në parlament. Ky projektligj pasi është gjithëpërfshirës do ta rregulloj edhe statusin e personave me aftësi të kufizuar të cilët nuk janë përfshirë në ligjet aktuale”, tha ministri.

Sipas tij projektligji për personat me nevoja të veçanta dhe reforma e sistemit pensional në të cilin janë duke punuar do të rregullojnë tri çështje: Vlerësimin e nevojave sipas kategorive, të drejtën në përfitime dhe ofrimin në shërbime sociale dhe shërbime në aftësim dhe punësim.