Reagon Ministrja e Arsimit: I kam plotësuar të gjitha kushtet për t’u avancuar në UP

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka reaguar ndaj vendimit  të Senatit të Universitetit të Prishtinës për mos ta avancuar në gradën profesor i asocuar.

Senati vendosi që lëndën e saj ta kthejë për rishqyrtim në Këshillin e Fakultetit Ekonomik.

Kjo për shkak se sipas asaj që u diskutua, Bajrami ka vetëm dy punime ku është autore e parë kurse në punimin e tretë nuk figuron si korrespodente.

Rregullorja e Universitetit të Prishtinës lidhur me avancimin e personelit akademik thekson se për pozitën profesor i asocuar, kandidatët duhet të kenë  së paku tre punime shkencore si autor i parë apo korrespodent.

Lidhur me këtë, përmes një postimi në “Facebook”, Bajrami ka thënë se në punimin e tretë është autore korrespodente por revista ku është publikuar punimi nuk e ka bërë ndarjen e tillë të autorëve.

“Gjithçka që ka ndodhur me avancimin tim është te një punim ku unë jam autore korrespodente. Mirëpo, që revista nuk i dallon autorët në punimet që i publikon. Se jam autore korrespodente e punimit është konfirmuar përmes dy formave – përmes konfirmimit me e-mail dhe konfirmimit me dokument të nënshkruar nga drejtori i revistës – por këto fakte s’janë marrë parasysh nga “Komisioni Këshillëdhënës…”, shkroi Ministrja.

Ajo theksoi se i plotëson të gjitha kriteret për avancim në këtë pozitë.

“Kam 3 punime të indeksuara në revista kredibile të indeksuara në platformat e aprovuara nga Senati i UP. Në dy punimet jam autore e parë ndërsa në të tretin jam autore korrespodente.Kam aplikuar për avancim vetëm kur kam plotësuar kriteret ligjore”, shkroi ai.

Ministrja madje tha se kishte pasur kërkesa e presione për tu tërhequr nga ky konkurs.

“Në forma zyrtare e jozyrtare kam pasur ‘kërkesa’ të tërhiqem nga konkursi. Këto kërkesa më shumë i kam parë si formë shantazhi dhe kam vendosur të mos i përfilli.Kam pasur edhe fjalë prej njerëzve që s’kanë asnjë pozitë në UP dhe në institucione se mund të rihapin konkursin brenda vitit. Edhe këto fjalë i kam kuptuar si formë shantazhi. Me lehtësi dhe vendosmëri i kam anashkaluar”, shkroi Bajrami.

KALLXO.com më parë kishte pyetur Ministren nëse do të mbante pozitën në universitet sa është ministre por e njëjta ende nuk ka dhënë përgjigje të qartë për këtë.

Ministrja e Arsimit dështon të avancohet në Senat, i kthehet lënda në Këshill