Reagon kryeministri Kurti: Dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11-vjeçare!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj rastit të dhunimit seksual të vajzës 11-vjeçare nga pesë persona.

Përmes një reagimi në Facebook, Kurti ka kërkuar që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme” – ka thënë Kurti teksa ka potencuar nevojën që akte të tilla të trajtohen me seriozitet.

“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”.

Tutje, kreu i ekzekutivit ka thënë se vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike dhe se nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta, as asaj, e asnjë vajze tjetër.

“Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku” – ka përfunduar Kurti.