Drilon Gashi: Administrata Trump i ka 'gërryer' marrëdhëniet Kosovë-Amerikë

Në emisionin “Jeta në Kosovë” pas intervistës më ministrin e Financave, Besnik Bislimi, është zhvilluar debat me shqiptarët e Amerikës, të cilët janë bashkuar dhe mobilizuar në dhjetëra organizata dhe i kanë shkruar letër presidentit Donald Trump, Kongresit e Senatit amerikan, për të ndaluar një marrëveshje potencialisht të dëmshme e të ngutshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Drilon Gashi, specialist i zhvillimeve ndërkombëtare në Uashington, tha se letra e dërguar nga lobi shqiptar e dha porosinë që ata janë në Amerikë.

“Unë besoj që kjo letër fillimisht e dha atë porosinë që ne jemi  këtu , mbase për disa vite sidomos pas pavarësisë është mendu që udhëheqësit e rinj do të jenë ata që do të ndërtojnë ura të bashkëpunimit më ShBA-në, por ne është rikujtuar si komunitet që ne te jemi gjithë aktivë”, tha ai në emisionin “Jeta në Kosovë.

Sipas tij, administrata e Trump e ka ‘gërryer’ marrëdhnien Kosovë-Amerikë.

“Disa sjellje që kanë ardhur nga një pjesë e administratës së Trump mbase e kanë gërryer këtë lloj besimi që ka ekzistuar. Komuniteti e pa atë dhe e kritikoi.  Mirëpo siç e thamë, komuniteti këtu është mbi politikën, qëllimi i angazhimit të komunitetit si tërësi është për interesat e Kosovës, interesat e Shqipërisë”, shtoi Gashi.

Ai shtoi se lobi serb në Amerikë mori mësime nga lobi shqiptar.

“Kanë kalu shumë vite që kur Serbia nuk kishte derë për marrëdhënien me Uashtingon, ndoshta lobi serb ka mësuar edhe nga lobi shqiptar për të krijuar marrëdhëniet. Ne kemi qenë paksa të relakasur por s’jemi më, dhe lobi shqiptar është aktiv”, tha Gashi.

Sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” u transmetua intervista me ministrin e Financave, Besnik Bislimi si dhe debati me shqiptarët e Amerikës, të cilët janë bashkuar dhe mobilizuar në dhjetëra organizata dhe i kanë shkruar letër presidentit Trump, Kongresit e Senatit amerikan, për të ndaluar një marrëveshje potencialisht të dëmshme e të ngutshme mes Kosovës dhe Serbisë.