Lirohet nga detyra këshilltari i Konjufcës, i dënuar për dhunë në familje

Këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi është liruar nga detyra. Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.

Lirimin e tij nga detyra për KALLXO.com e ka konfirmuar shefit i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçëli.

“Këshilltari Drilon Gashi është liruar nga detyra”- ka thënë ai.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit sot, KALLXO.com ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, të dijë se çfarë masa janë ndërmarrë ndaj Gashit.

Konjufca nuk ka dhënë informacione të tjera lidhur me këtë çështje, duke insistuar që përgjigjen do ta marrim nga shefit i kabinetit të tij. Pak minuta më vonë, Kërçeli ka kthyer përgjigjen për KALLXO.com.

KALLXO.com pak ditë më parë ka raportuar se Drilon Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.

Drilon Gashi është dënuar nga Gjykata pasi që më 30 dhjetor 2017, në prag të vitit të ri të 2018, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij me grushte dhe e kishte goditur me dru.

Ndonëse kishte sulmuar bashkëshorten  tij me grushte dhe e kishte goditur me dru, Gjykata i kishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.

Javnë e kaluar, këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi ka reaguar për rastin e dënimit të tij për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Ai në mes tjerash ka deklaruar se raportimi e ka vendosur në pozitë të keqe shefin e tij, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

KALLXO.com raportoi se Drilon Gashi ishte dënuar në 2018 me vendim të plotfuqishëm për sulmin fizik ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Gashit, me publikimin e artikullit është vendosur në pozitë të vështirë shefi i tij, Glauk Konjufca.

“E keni vendosë edhe shefin tim në pozitë të keqe” – ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Sipas tij, ai nuk e ka goditur asnjëherë bashkëshorten e tij.

“Unë asnjëherë nuk e kam goditur gruan time me dru dhe një gjë e tillë nuk është vërtetu as në gjykatë. Ishte një zënkë familjare dhe mora vërejtje gjyqësore për këtë” – thuhet në mesazhin e tij.

Këshilltari me ‘stupc’ i Konjufcës – Rrahu bashkëshorten dhe mori vetëm vërejtje gjyqësore