Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rastin e këshilltarit të Konjufcës  

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se pas publikimit të rastit se Drilon Gashi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka qenë i dënuar nga gjykata për dhunë ndaj gruas së tij, besojnë se kryetari Konjufca do ta adresojë këtë çështje.

“Ne kemi qenë në komunikim pas publikimit të këtij rasti dhe besojmë se kryetari Konjufca do ta adresojë këtë çështje”- thuhet në përgjigjen e minsitres Haxhiu.

KALLXO.com të enjten ka raportuar se këshilltari kryeparlamentarit Konjufca, Drilon Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.

Drilon Gashi është dënuar nga Gjykata pasi që më 30 dhjetor 2017, në prag të vitit të ri të 2018, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij me grushte dhe e kishte goditur me dru.

Ndonëse kishte sulmuar bashkëshorten  tij me grushte dhe e kishte goditur me dru, Gjykata i kishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.

Në anën tjetër Flamur Pireva, këshilltar politik i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë për KALLXO.com se nuk ka qenë në dijeni për rastin.

“Sikurse kryetari i Kuvendit, as unë nuk kam qenë në dijeni në raport me Aktgjykimin dënues ndaj D.G.”.

“Për herë të parë ka një angazhim maksimal institucional për fenomenin e dhunës në familje dhe me qëllim të ngritjes së vetëdijes për aspektet negative të fenomenit të dhunes dhe në anën tjetër ndëshkimin meritor,  ne kemi ndërmarrë veprime për përfshirjen e dënimeve plotësuese, për keto raste përmes ndryshimit të Kodit Penal dhe atij të procedurës penale” – shtoi Pireva.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës që është publik në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Drilon Gashi, që për një kohë kishte qenë imam, pas një mosmarrëveshje për çështje familje me bashkëshorten e tij, kishte ushtruar dhunë fizike duke e goditur me grusht në kokë si dhe me një dru në kofshë, me ç’rast i ka shkaktuar dëme të përkohshme trupore.

Lidhur me këtë dhunë të ushtruar, ish-imamit nga Peja i ishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.

Sipas dosjes së gjykatës së vitit 2018, i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe kishte ndjerë keqardhje për atë që ka ndodhur.

Pendesën e tij, Gjykatësi Sejdi Blakaj e kishte marrë si rrethanë lehtësuese për shqiptimin e dënimit.

Ndër të tjera, gjykata kishte marrë parasysh edhe “qëndrimin korrekt në gjykatë, gjendjen ekonomike e familjes, dhe përmirësimi i raporteve me të dëmtuarën – bashkëshorten.

Drilon Gashi është i angazhuar si këshilltar në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, këtë e ka konfirmuar Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

“Po Drilon Gashi deri më sot vazhdon të jetë në pozitën e këshilltarit dhe i kemi pa lajmet” – tha ai shkurtimisht, më 11 maj 2023.

KALLXO.com të enjten ka telefonuar edhe Drilon Gashin, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Të njëjtin i kanë shkuar edhe pyetjet me shkrim. Nuk dihet nëse vendimi i Gjykatës për vërejtje gjyqësore është apeluar nga Gashi.