Rashit Qalajt aderoi në PDK, por ende nuk i është aprovuar dorëheqja nga Policia e Kosovës

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka dhënë dorëheqje nga PK ndërsa dorëheqja e tij ende nuk është aprovuar.

Kështu ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

“I apostrofuari nga ana juaj ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, e njëjta është në procedurë të shqyrtimit dhe aprovimit”, thuhet në përgjigjen e PK-së për KALLXO.com.

Ish- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Qalaj gjatë ditës së djeshme ka aderuar në
Partinë Demokratike të Kosovës.

Qalaj ishte drejtor i Policisë së Kosovës deri më 16 tetor, kur edhe është shkarkuar me vendim të Kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti.

Gjatë ditës së djeshme, në një konferencë për media PDK prezantoi Qalajn si aderimin e ri ndërsa ky i fundit tha se deklaroi se vendimi i tij për t’u kyçur në politikë pas degradimit që ka ndodhur në sistemin e drejtësisë, vitin e fundit.

Qalaj në krye të Policisë ishtevënë në gusht të vitit 2018 ndërsa qëndroi deri më 16 tetor 2020.

Për shkarkimin e tij Qalaj kishte paditur Zyrën e Kryeministrit ndërsa për një kohë konkursi i Policisë së Kosovës për drejtor të ri ishte bllokuar pas kërkesës së Qalajt për masë të përkohshme të pezullimit të të njëtit konkurs.

Gjykata e Apelit kishte anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të Policisë për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Më 8 janar të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se me kërkesë të avokatit të ish-Drejtorit të Policisë, Rashit Qalajt është shtyrë seanca ku do të trajtohej padia e tij ndaj zyrës së Kryeministrit lidhur me shkarkimin e tij.

I autorizuari i propozuesit Rashit Qalaj, avokati Adem Vokshi i dorëzoi Gjykatës një kopje të parashtresës për zgjerimin e kërkesëpadisë dhe propozimit të masës së sigurisë.

Në vend të Qalajt, në krye të Policisë së Kosovës tani është zgjedhur Samedin Mehmeti.