Ilustrim. Foto: KALLXO.com

Raporti i Progresit: Kosova Nuk Ka Programe të Çradikalizimit

Kosova duhet të adresojë disa sfida kyçe sa i takon luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, sipas raportit të progresit të Komisionit Evropian për vitin 2016, i cili ka përmendur disa kufizime dhe mangësi.

Komisioni Evropian thotë se autoritetet kosovare kanë shtuar përpjekjet për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin, duke miratuar dhe zbatuar një ligj që e bën vepër penale që kosovarët t’u bashkohen luftërave në vende të huaja, si dhe një strategji dhe plan veprimi për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Gjithashtu, raporti thotë se numri i qytetarëve kosovarë në konfliktin në Siri dhe Irak po pakësohet.

“Megjithatë, ka sfida sa i takon mungesës së programeve për çradikalizimin dhe riintegrimin, duke marrë parasysh numrin e lartë të qytetarëve të Kosovës që janë kthyer nga zonat e konfliktit”, thuhet në raport.

Sipas policisë së Kosovës, vlerësohet se 316 kosovarë iu bashkuan konfliktit në Siri dhe Irak dhe se 117 prej tyre janë kthyer. Me fillimin e një ofensive shumëpalëshe ndaj të vetëquajturit “Shtet Islamik”, gjatë javëve të fundit, zyrtarë evropianë u kanë bërë thirrje vendeve përkatëse që të përgatiten për një rritje të mundshme të fluksit të luftëtarëve të kthyer.

Sipas raportit të progresit, fenomeni i luftëtarëve të kthyer kërkon një qasje të përkushtuar nga komuniteti i inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, si dhe “një politikë gjyqësore koherente mbi shkelësit bashkë me reagime shoqërore, komunitare që synojnë veçanërisht të rinjtë e margjinalizuar”.

Ndërkohë që rreth 70 raste që lidhen me terrorizmin janë trajtuar apo po trajtohen në gjyqësorin kosovar, krahas dhjetëra shpalljesh fajësie në shkallë të parë dhe pak sosh në formë përfundimtare, Kosova po mundohet të burgosë shumicën e luftëtarëve të kthyer.

Megjithatë, ndërhyrje paralele të çradikalizimit për të ndihmuar riintegrimin e të dyshuarve dhe për të ndaluar përhapjen e radikalizmit në burgje, ende nuk janë në fuqi.

Vesë Kelmendi, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se brenda pak muajsh pritet funksionalizimi i programeve për çradikalizim dhe riintegrim të luftëtarëve të huaj në burgje apo jashtë tyre, në hartimin e të cilave është përfshirë QKSS.

“Këto programe janë hartuar, dhe implementimi i tyre, pritet të fillojë në fillim të vitit 2017”, tha Kelmendi.

Raporti i progresit për Kosovën thotë se përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të inteligjencës ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjithashtu mund të ndihmojë në përballjen me rrezikun e ekstremizmit dhe radikalizimit.

“Janë të nevojshme trajnime të specializuara mbi teknikat hetimore për prokurorët dhe policinë. Agjencive kosovare të zbatimit të ligjit, gjithashtu u mungon ekspertiza dhe pajisjet për të hetuar raste komplekse të terrorizmit”, thuhet në raport.

Qasja e institucioneve të drejtësisë së Kosovës në disa raste specifike ka dështuar, duke rezultuar në arratisjen e të dyshuarve të profilit të lartë për terrorizëm.

Ndërsa, në një sërë rastesh të tjera, aktakuzat ndaj të dyshuarve janë ngritur pa prova konkrete apo me vlerësime që përmbanin gabime thelbësore në aktakuzat e prokurorisë si dhe në aktgjykimet përkatëse.

BIRN ka raportuar më parë për nevojën e programeve të mirëfillta të çradikalizimit, përkundër faktit që deri më sot, autoritetet kosovare kanë implementuar thuajse ekskluzivisht masa që kanë synuar burgosjen e luftëtarëve të kthyer.