Ilustrim

Raporti i IHDNj: Kushtet dhe të drejtat e punëtorëve të pastrimit nuk trajtohen me seriozitet

Sektori i mirëmbajtjes higjienike ose pastrimit në Kosovë është një sektor që shpesh herë nuk trajtohet apo diskutohet me seriozitet.

Kështu thuhet në raportin e Institutit për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) për këtë sektor në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Podujevë.

Neglizhenca institucionale, mbikëqyrja joadekuate, rreziqet për shëndetin e punëtorëve, mungesa e transparencës janë disa nga problemet e identifikuara nga hulumtimi.

Sipas këtij raporti, sektori publik ka numër të kufizuar punëtorësh dhe ngarkesë të tepërt pune për punëmarrësit, ndërsa gjendjen vështirëson edhe ligji i prokurimit publik, i cili preferon përzgjedhjen e ofertës më të ulët në çmim.

Sa i përket sektorit privat thuhet se nuk ka rregullore për pagat dhe nuk respektohen pushimet vjetore dhe ato mjekësore të punëtorëve.

“Hulumtimi ka zbuluar se ka një numër të madh të punëtorëve në sektorin e mirëmbajtjes higjienike që punojnë në formë të pa deklaruar, duke u angazhuar në vende të ndryshme gjatë javës ose muajit, dhe duke mos u aplikuar forma e kontratës së punës” – thuhet në raport.

Po ashtu theksohet se punëtorët në sektorin e mirëmbajtjes higjienike vuajnë nga mungesa e sigurisë në punë, pasiguria e të ardhurave dhe mungesa e të drejtave të punës.

“Kushtet e tyre të punës nuk janë të rregulluara dhe kjo çon në shkelje të të drejtave të punëtorëve. Sektori joformal është i veçantë për shkak të mungesës së rregullave dhe mbikëqyrjes nga shteti. Nuk ekziston një bazë e të dhënave për punëtorët që punojnë në këtë sektor, kushtet e punës dhe siguria në punë nuk janë të garantuara, dhe punëtorët nuk gëzojnë të drejtat e tyre themelore”- theksohet në këtë raport.

Tutje shtohet se punëtorët e sektorit të pastrimit të punësuar në institucionet publike përballen me sfida për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së kontratave nga institucionet përkatëse dhe mosrespektimit të të drejtave të punëtorëve nga kompanitë.

“Është thelbësore që institucionet dhe kompanitë përkatëse të përfshira t’i adresojnë këto çështje dhe të sigurojnë që punëtorëve në sektorin e pastrimit brenda institucioneve publike t’u sigurohen kushte të përshtatshme pune, duke përfshirë pajisjet e nevojshme higjienike dhe mbrojtëse”- thuhet në raport.

Sipas këtij Instituti, është thelbësore që institucionet dhe kompanitë të sigurojnë që punëtorëve në sektorin e pastrimit t’u sigurohen kushte të përshtatshme pune, duke përfshirë pajisjet e nevojshme higjienike dhe mbrojtëse.

Përgatitja dhe lanësimi i këtij raporti është bërë në kuadër të projektit “Rritja e vetëdijesimit dhe përfitimet nga formalizmi i punësimit në sektorin e mirëmbajtjes higjienike”, me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, projekt ky i cili zbatohet nga IHDNj, me përkrahjen nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe BIRN Kosova.