Raporti Botëror i Lumturisë: Kosova shënon rritje, Finlanda sërish në krye të renditjes
Hulumtimet globale tregojnë një trend shqetësues se të rinjtë po përjetojnë një rënie të lumturisë, e ngjashme me fenomenin e quajtur “krizë e moshës së mesme”.
Kjo është përmendur nga zyrtari kryesor shëndetësor i Amerikës, Dr. Vivek Murthy. Ai krahasoi përdorimin e mediave sociale nga fëmijët me administrimin e ilaçeve të pa-provuara, duke vënë në dukje mungesën e sigurisë.
Gjetjet tregojnë se në të gjithë Amerikën e Veriut, të rinjtë janë tani më pak të lumtur se brezat e mëparshëm, një ndryshim i ngjashëm është parashikuar edhe për Evropën Perëndimore.
Raporti Botëror i Lumturisë për 2024 e konfirmon këtë rënie të lumturisë mes të rinjve, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të dalin jashtë 20 vendeve më të lumtura.
Megjithatë, ndryshime të ngjashme janë vërejtur edhe në Evropën Perëndimore. Megjithëse arsyet e kësaj rënieje mbeten të paqarta, impakti i mediave sociale, pabarazitë e të ardhurave, dhe problemet globale si lufta dhe ndryshimet klimatike janë faktorë të dukshëm.
Gjetjet e raportit vënë në dukje kohën e tepërt që adoleshentët e shpenzojnë në media sociale dhe kërkoi veprime të menjëhershme ligjore për të zbutur ndikimin negativ të tyre.
Raporti Botëror i Lumturisë e rikonfirmon përsëri Finlandën, Danimarkën dhe Islandën si tri nga vendet më të lumtura në botë.
Ndërsa disa vende kanë përjetuar rritje në nivelin e lumturisë, disa të tjera, si Afganistani dhe Libani, karakterizohen me nivelin më të ulët të lumturisë në botë duke u renditur si të fundit në këtë raport.
Për herë të parë në më shumë se 10 vjet, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania nuk janë ndër 20 vendet më të lumtura, duke rënë në vendin e 23-të dhe të 24-të. Franca zuri vendin e 27-të.
Top 20 përfshin Kosta Rikën dhe Kuvajtin, të cilët zunë vendet e dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë, dhe nuk ka asnjë vend të vetëm më të populluar në botë në mesin e 20 vendeve të para.
Sa i përket vendeve të rajonit, ndër vendet më të lumtura renditet Kosova si e 29-ta për të gjitha grupmoshat. Krahasuar me vitin e kaluar, Kosova ka shënuar një rritje në nivelin e lumturisë pasi që vitin e kaluar Kosova renditej si e 34-ta.
Vendet tjera të Ballkanit Përendimor renditen relativisht larg nga Kosova sa i përket nivelit të lumturisë.
Serbia renditet në vendin e 37-të, Shqipëria renditet në vendin e 87-të duke e shënuar një rënie krahasuar me vitin e kaluar kur renditej në vendin e 83. Bosnja renditet në vendin e 65-të, Mali i Zi në vendin e 76-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 84.
Ky raport e nënvizon rëndësinë e mirëqenies së fëmijërisë për parashikimin e kënaqësisë së jetës së të rriturve dhe e vë theksin tek nevoja për të investuar në shërbimet e shëndetit mendor dhe edukimin e aftësive jetësore për të rinjtë. Lordi Layard insistoi në nevojën për të përfshirë mirëqenien e fëmijëve në agjendën politike, duke kërkuar investime në shërbimet e shëndetit mendor dhe edukimin për jetën.
Raporti vjetor i Indeksit të Lumturisë Botërore, i nisur në vitin 2012 për të mbështetur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, bazohet në të dhënat nga kompania amerikane e kërkimit të tregut Gallup dhe është publikuar nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Ai bazohet në vlerësimin e njerëzve për lumturinë e tyre, si dhe në të dhëna për kushtet ekonomike dhe sociale./The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala