Ramush Haradinaj kundër programit të koalicionit AAK-PSD

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit kanë bërë bashkë Ramush Haradinajn dhe Shpend Ahmetin.

Bashkimi i forcave në një koalicion parazgjedhor ndërmjet AAK-së e PSD-së u tha se u bë për disa arsye, e ndër to edhe për shkak të programit të harmonizuar.

Por, jo krejt kështu po duket në paraqitjet publike të kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj.

Ai, mbrëmë në #Debatpernime me Jeta Xharrën, ka shprehur një kundërshti ndaj njërës prej pikave programore të AAK-PSD, reformës së administratës shtetërore ku pjesë e saj është edhe kufizimi i ministrive në ekzekutivin e ardhshëm në 15 sosh.

“Unë mendoj që në ligj duhet me qenë maksimumi 15 ministri dhe këtë si kryetar i komisionit qeveritar ia kam propozuar kryeministrit. Tavani me qenë 15”, ka thënë këshilltari i Ramush Haradinajt, Besnik Tahiri.

Por me këtë konstatim të tij, LIVE gjatë debatit, nuk është pajtuar kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj. Ai tha se nuk mund të jenë të mjaftueshme 15 ministri në një Qeveri.

 

Haradinaj dhe këshilltari i tij nuk pajtohen për numrin e ministrive – VIDEO

Ndërsa, ditë më parë, në një konferencë të përbashkët për media, kandidatët për deputetë, Besnik Tahiri nga AAK dhe Shqipe Pantina nga PSD, shpalosën reformën në administratë.

“Besnik Tahiri theksoi se Ligji për Qeverinë është tashmë i përfunduar. Ai prezantoi dy versionet se si do të dukej qeveria e ardhshme, me 12 dhe me 15 ministri, duke nënvizuar se rekomandimi i tij ishte qeveria me 15 ministri”, thuhej në komunikatën për media të dërguar nga PSD më 25 shtator.

Qeveria e fundit e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte shpesh në qendër të kritikave për shkak të numrit të madh të të punësuarëve në kabinetin qeveritar.

Qeveria Haradinaj kishte pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra e rreth 80 zëvendësministra.

Sa na Kushton “Ushtria” e Gjeneralit

www.kallxo.com