Ramush Haradinaj akuzon Liburn Aliun: Ti je ka e bon njësoj si Beogradi

Projekti për asfaltimin e rrugës Deçan – Plavë ka shkaktuar përplasje ndërmjet ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Haradinaj fillimisht ‘akuzoi’ qeverinë Kurti se e ka hequr buxhetin për projektin e kësaj rruge.

Ndërsa ministri Aliu pretendoi se nuk ka heqje të buxhetit për atë projekt.

“Ideja është me ndërtu një rrugë 18 kilometra, në vend të asaj 6 kilometra nëpër zonë të veçantë të mbrojtur, e me ndërtu nëpër male e bjeshkë për shkak se kalon tek disa prona të caktuara. Por kjo është gabim, sepse krijojmë precedant të rrezikshëm, për shkak se pranojmë të bëjmë bajpas. Këto janë politika të mbrapshta, të cilat kemi me i kthy mbarë”, tha Aliu.

Ndërsa Haradinaj u përgjigj duke thënë se ministri Aliu ‘po rren’ pasi po e lidh projektin me pretendimet e Kishës Ortodokse. Ai pyeti Aliun nëse ka ‘lidhje’ me Beogradin.

“Rruga që lidhet me Plavë, vazhdon nëpër bjeshkë, është asalftu një numër i caktum i kilometrave. Nuk po flasim për bajpasat e Kishës, mos e lidh, Beogradi po e lidh me Kishë sepse po don me na vonu. Ti je ka e bon njësoj si Beogradi, po e heq buxhetin. Nëse të ka shti Beogradi, tregona, a e ki aty problemin edhe po të falim”, deklaroi Haradinaj.

Kurse ministri Liburn Aliu përsëri iu kundër-përgjigj, duke thënë se pranimi i bajpasit në emër të rrugës Deçan – Plavë është gabim, pasi krijon precedant për të gjitha zonat e mbrojtura në Kosovë.

“Sa i përket Beogradit, unë momentalisht si bashkudhëheqës i Këshillit për Zbatim dhe Monitorim ballafaqohem me një fakt shumë të rëndësishëm, që është pranimi i bajpasit në emër të rrugës Deçan – Plavë. Sa i përket kësaj rruge është një ndër prioritetet që e kemi në vazhdimësi, prandaj unë po e kundërshtoj atë bajpas, Kisha po e kërkon, me qenë unë i Beogradit e kisha pranu atë. Nuk jam i Beogradit dhe po e refuzoj atë bajpas. Pavarësisht që kalon nëpër prona dhe bjeshkë, është park nacional, duhet të ketë plan”, tha ministri Aliu.

Deputetet e Kuvendit te Kosovës janë duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.