Ramiz Lladrovci i shkon në zyrë Sami Lushtakut e Fadil Nurës

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura bashkë me nënkryetarin Sami Lushtaku, kanë pritur në takim tre zyrtarë të PDK-së, Vlora Çitakun, Ramiz Lladrovcin dhe Abelard Tahirin.

Nura ka shkruar se në këtë takim kanë diskutuar shumë hapur rreth bashkëpunimit mes dy komunave tona, nëpërmjet projekteve që do të realizojmë gjatë mandateve të tyre.

“Mirëpritëm bashkë me nënkryetarin Sami Lushtaku në një takim shumë miqësor Vlora Çitaku si nënkryetare e parë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe deputetin e Parlamentit të Kosovës, Abelard Tahiri, për të diskutuar shumë hapur rreth bashkëpunimit mes dy komunave tona, nëpërmjet projekteve që do të realizojmë gjatë mandateve tona, në shumë fusha në të mirë të qytetarëve tanë dhe zhvillimit të gjithmbarshëm.Këtu është Drenicë!”, ka shkruar Nura në rrjetin social “Facebook”.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ndonëse janë pjesë e të njëjtës shtëpi politike, raportet mes tyre i kanë pasur të ngurta, madje duke i shpërfaqur shpesh herë edhe në opinion.

PDK në Skenderaj nuk doli publikisht në përkrahje të Ramiz Lladrovcit pasi ky shkoi në balotazh përball Driton Ajazit – ish-zyrtar i PDK-së, në zgjedhjet lokale të 2021-ës. Madje, edhe vetë Lladrovci i kishte kërkuar përkrahje publikisht Fadil Nurës dhe Sami Lushtakut.

KALLXO.com më 12 nëntor 2021 ka publikuar një artikull të gjatë në të cilën në mënyrë kronologjike flet për raportet e anëtarëve të PDK-së në Drenas, e që në këtë mes është edhe ajo Lladrovci-Lushtaku.

‘Përçarja Demokratike’ e PDK-së në Drenas