‘Përçarja Demokratike' e PDK-së në Drenas

Qyteti që për shumë vite ishte bastioni i PDK-së, tri palë zgjedhjet e fundit lokale është duke i kaluar me probleme të brendshme. Pakënaqësitë mes njerëzve të PDK-së në Drenas kanë krijuar përçarje të strukturave të partisë edhe në 2021, njëjtë sikur në zgjedhjet e 2017 dhe të 2016. Problemi i fundit i kësaj dege po ndodhë në periudhën më të vështirë në historinë e tyre, në mungesën e të dy personazheve kryesore të kësaj partie në dy dekadat e fundit, Kadri Veselin e Hashim Thaçin.

Mospajtimet brenda njerëzve të PDK-së në Drenas nisën pas dorëheqjes së Nexhat Demakut nga pozita e kryetarit të Komunës në 2016.

Nexhat Demaku kishte qeverisur me Drenasin për tri mandate rresht, nga viti 2007 deri më 2016. Ai dha dorëheqje nga posti i kreut të Drenasit pasi Gjykata e Apelit ia vërtetoi dënimin për krime të luftës.

Dorëheqja e tij nënkupton zgjedhje të jashtëzakonshme për Drenasin më 4 dhjetor 2016.

Befasia e asaj gare ishte garimi për herë të parë i Ramiz Lladrovcit për kryetar komune.

Ramiz Lladrovci nuk ishte emër i panjohur në Drenas.

Ai është themelues dhe anëtar i Kryesisë së Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (sot PDK), që nga viti 1999. Por jo gjithë jetën e tij i ka shërbyer kësaj partie. Lladrovci nga 2003 deri në fund të vitit 2008 kishte qenë sekretar organizativ i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Dy vite më vonë, Lladrovci arriti që nën petkun e PDK-së të zgjidhet deputet i Kuvendit.

Pas katër vite, ai u ngarkua si ambasador i Kosovës në Shqipëri, në të cilën u angazhua deri në kohën kur vendosi të garoj për kryetar të Drenasit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 2016-es, Partia Demokratike e Kosovës shkoi për herë të parë në balotazh pikërisht me Ramiz Lladrovcin.

Goditja e parë e PDK-së së Drenasit

Goditjen e parë PDK në Drenas e mori pikërisht me kthimin e Ramiz Lladrovcit në politikën lokale.

Por, faji nuk ishte tek ai, por te një ngjarje që PDK e kishte kaluar 2 vite më parë.

Më 2014, dy nga figurat kryesore të PDK-së u larguan, për të nisur një grupacion të ri politik që e quajtën “Nisma për Kosovën”, tash e njohur si NISMA Socialdemokrate.

Fatmir Limaj u bë kryetar i kësaj partie, ndërsa Jakup Krasniqi mori pozitën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të kësaj partie.

Jakup Krasniqi, personazh i rëndësishëm i luftës dhe politikës së pasluftës, nga fshati Negroc i Drenasit ishte një prej arsyeve kryesore se pse PDK mori goditjen e parë në bastionin e saj të përhershëm.

Nisma për Kosovën, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 2016 nxori kandidat për kryetar, Isa Xhemajlin.

Kandidimi i këtij të fundit, që bashkë me Jakup Krasniqin deri së voni ishte pjesë e PDK-së, e çoi PDK-në në balotazh për Drenasin.

Goditja ndaj PDK-së u “mjekua” në garën e balotazhit, në të cilën Lladrovci fitoi me mbi 60% të votave për të qenë kryetar i komunës për disa muaj, deri në procesin e rregullt të zgjedhjeve të shtatorit të 2017.

Lufta e Ramiz Lladrovcit me PDK-në

Kandidimi i Lladrovcit nuk ishte “pritur” mirë nga anëtarët e PDK-së në këtë qytet.

Karriera e tij politike, herë në PDK e herë në AAK dhe rikthimi i tij i papritur nga zyrat e ambasadës së Kosovës në Tiranë, për në garën e Drenasit, ishte e papritshme për disa prej zyrtarëve të degës së PDK-së në këtë qytet që kishin apetite politike.

Përkrahja që Lladrovci gëzonte nga niveli qendror i PDK-së në Prishtinë, dallonte nga përkrahja që atij i jepej nga dega e Drenasit.

Megjithatë, PDK kishe vendosur që Lladrovci të jetë kandidat i saj edhe në zgjedhjet e rregullta lokale të 2017.

Kandidimi i tij ishte aq i padëshirueshëm për disa prej bashkëpartiakëve të tij nga Drenasi, sa që njëri prej tyre duke besuar në mbështetje të strukturave të partisë vendosi, t’i dal kundërkandidat.

Shpresa e Naim Bazajt për të qenë kandidat i PDK-së kishte përfunduar me zyrtarizimin e kandidaturës së Lladrovcit.

Kjo e çoi Bazajn në një rrugë të cilën pak kohë më vonë do t’i binte pishman.

Ai zyrtarizoi kandidaturën dhe u certifikua si kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit. Pak javë më vonë, Bazaj njoftoi se ka tërhequr kandidaturën për kryetar të qytetit, por vendimi i tij ishte i vonshëm. Emri i tij figuronte në fletëvotimet e atyre zgjedhjeve.

Ani pse tërhoqi kandidaturën, ai arriti të merrte “besimin” e 24 qytetarëve. 24 vota kishin shkuar në kutitë e votimin për Bazajn.

Zgjedhjet lokale të 2017 Ramiz Lladrovci i fitoi në rundin e parë. Këto mbesin të vetmet zgjedhje nga 3 palë të tilla, që Lladrovci do t’i fitonte pa balotazh.

“Prej 2016-es kur jam ardhë me ftesë të Kadri Veselit me kandidu për kryetar, ka fillu lufta kundër meje”, kishte thënë Lladrovci në një intervistë për KALLXO Pernime në muajin maj të këtij viti.

Lufta është bërë më hapur tash, pas pesë viteve, kur doli në pah Driton Ajazi, tashmë ish-zyrtar i PDK-së.

Driton Ajazi ishte nominuar fillimisht nga dega e PDK-së në Drenas për kryetar. Mirëpo niveli qendror i PDK-së vendosi të mos i dëgjoj strukturat.

Ata dhanë fjalën e fundit duke zyrtarizuar Ramiz Lladrovcin si kandidat të tyre për kryetar të Drenasit.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ajazi ka sqaruar se cili është “hatri” i tij me Ramiz Lladrovcin dhe strukturat qendrore të PDK-së.

Ai pretendon se ka pasur një marrëveshje në vitin 2016 mes ish-liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe Ramiz Lladrovcit, që ai, Driton Ajazi do të bëhej nënkryetar i Komunës.

“Në 2016-ën kam qenë pjesë e shtabit zgjedhor dhe pikërisht për këtë aktivitet e ka vlerësuar kryetari Kadri Veseli, kam qenë i sugjeruar që të jem unë pjesë e ekzekutivit të Ramiz Lladrovcit, mirëpo ai nuk e ka vlerësua një gjë të tillë”, kishte thënë Ajazi në një intervistë për KALLXO.com në muajin qershor.

Tash, pesë vite mbrapa, Ajazi shprehet me fat që nuk u bë pjesë e qeverisjes së tij, të cilën ai e quan të dështuar.

Në anën tjetër, Lladrovci ka një analizë tjetër për kundërvënien ndaj tij të një pjesë të rëndësishme të degës së PDK-së në këtë qytet.

“Ata e kanë ditë personalitetin tim, që nuk mujnë me marrë tendera pa kritere, punësime pa procedura. Mua më ka luftuar kryesia edhe në 2017-en kur kam kandidu, 70% janë kanë kundër meje”, ishte shprehu Lladrovci në një intervistë në KALLXO Pernime në maj 2021.

Në anën tjetër, Ajazi thotë se me të ardhë Lladrovci në qeverisje, kishte ndryshuar qasjen, duke goditur strukturën e PDK-së.

“Pas ardhjes së tij në pushtet, ai ndryshoi qasjen në raport me të gjithë. Së pari filloi ta godasë strukturën e PDK-së që e kishte mbështetur për ta zgjedhur ku isha edhe unë pjesë e ekipit…Me zgjedhjen e tij, ai filloi një luftë speciale kundër ish-strukturës. Deri në atë masë sikur ne të gjithë të ishim kundërshtarë politikë”, kishte thënë Ajazi për KALLXO.com në muajin qershor 2021.

Në kohën kur zgjedhjet lokale 2021 po afroheshin, strukturat e PDK-së në Drenas kishin tentuar që të ia pamundësojnë Ramiz Lladrovcit kandidaturën edhe për një mandat.

Ata kishin “lobuar” tek ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj duke ia dërguar një peticion me 10 pika, shqetësime të tyre, në të cilat tregojnë se përse ata mendojnë që Lladrovci nuk duhet të rikandidohet.

“Ne kemi biseduar në takime të brendshme me kryesinë qendrore edhe dërguar në formë peticione me 10 pika që kemi paraqit shqetësimet tona se z. Lladrovci nuk bën apo të rikandidohet përsëri, sepse do ta dëmtojë në tërësi PDK-në nesër garojmë prapë me figurën e z.Lladrovcit”, është shprehur Ajazi, i cili shton se si përfundim nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për tejkalimin e situatës.

Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje kishte vendosur që të gjithë kryetarët nëpër komuna, t’i rikandidonte. Ky vendim i PDK-së nënkuptonte që Lladrovci kishte besimin për t’i hyrë garës edhe për një mandat në Drenas. Po ashtu, Lladrovci edhe pa një konfirmim paraprak, kishte vetëshpallur kandidaturën qysh nga janari i këtij viti.

Por dega e PDK-së në Drenas kishte vendosur që t’i shkojë procedurave të partisë, të cilat thonin se për kryetar të komunës duhet të jetë një anëtar i degës. Asokohe, Lladrovci nuk kishte as ndonjë funksion brenda strukturave të PDK-së në Drenas.

“E vlerësoj jashtëzakonisht shumë besimin e dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, që ti prijë këtij procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve të Drenasit dhe presë mbështetjen edhe të kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, që ta konfirmojë kandidaturën time!”, kishte shkruar Driton Ajazi në rrjetin social “Facebook”, pasi dega e nominoi për kryetar komune të Drenasit.

Në fund, u vendos kundër vullnetit të degës së PDK-së. Lladrovci do të figuronte si kandidat i PDK-së në fletëvotimet e 17 tetorit.

Kjo nuk e ndaloi Driton Ajazin që të tërhiqet nga kandidatura. Ai krijoj listën e tij, të quajtur “Dekada e Re për Drenas “.

Me këtë emër nuk u certifikua në KQZ. Pasi që sipas KQZ-së, me emrin “Dekada e Re” “mund të shkaktojë ngatërrim apo ç’orientojë votuesit për shkak se ky emërtim është përdorur më parë nga Partia Demokratike e Kosovës”, kishte qenë arsyetimi i KQZ-së.

Më pas, ai e ndërroi në “Demokratët për Drenas”. Të njëjta i mori edhe ngjyrat sikurse të PDK-së, kaltër dhe bardh.

Me këtë emër, dhe më një mbështetje të mjaftueshme në përqindje, Ajazi arriti që ta dërgojë për herë të dytë Drenasin në balotazh.

Zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Drenas

Në historinë e degës së PDK-së në Drenas “përplasjet” nuk kishin qenë veç për kandidaturat për kryetar komune, por garë të fortë kishte pasur edhe për pozitën e kryetarit të degës.

Në vitin 2019, degës së PDK-së në Drenas i erdhi dita që të zgjedh kryetarin e ri, post të cilin deri këtë kohë e mbante Nexhat Demaku.

Këtë post po e synonin, Sejdi Hoxha, Naim Bazaj e Kushtrim Prenku.

Përmes votës së fshehtë të delegatëve të PDK-së, Sejdi Hoxha arriti të fitojë një mandat katër vjeçar për të qeverisur me degën.

Nga kjo garë, i pakënaqur mbeti Naim Bazaj. Pakënaqësia e tij arriti deri në atë masë që shtëpinë e tij politike ta quante të dështuar dhe ofroi dorëheqje.

Në këtë garë, Lladrovci po e mbështeste kandidaturën e Sejdi Hoxhës. Madje pak javë para procesit zgjedhor, ishin parë edhe në oda së bashku në kohën kur Hoxha po mbante vetëm postin e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës.

“Dekada e Re, në Drenas do të fuqizohet, jo vetëm me Kryetarin e ri, z. Sejdi Hoxha, por edhe me Kuvendin e ri të Degës dhe delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së, duke e rikonfirmuar se Drenasi, ishte, është dhe mbetet bastion i PDK-së, ashtu siç dje, ishte bastion i UÇK-së!”, kishte shkruar Lladrovci në rrjetin social “Facebook” më 18 maj 2019.

Në anën tjetër ishte Bazaj që po hidhte akuza në drejtim të liderit të PDK-së në atë kohë, Kadri Veselit dhe Ramiz Lladrovcit për “manipulim të votave” në procesin e brendshëm të degës.

Megjithatë, Hoxha nuk e çoi deri në fund mandatin e tij katër vjeçar si kryetar dege për shkak të zhvillimeve të brendshme të partisë në Drenas.

“Edhe pse isha i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime për ta mbajtur degën unike dhe të fuqishme kjo rezultojë të jetë e pamundur, sepse ka shumë probleme të cilat i tejkalojnë kompetencat e mija si kryetar i degës, dhe për pasojë erdhi deri të shpërthimi i shumë pakënaqësive të cilat tash më janë të njohura për opinionin”, kishte thënë Hoxha në njoftimin e tij të publikuar në rrjetin social “Facebook” në gusht të vitit 2021.

Derisa PDK po bëhej gati që t’i hyjë balotazhit në Drenas, kryesia qendrore e PDK-së, vendosi të bëjë një ndryshim në degën e saj.

PDK në Drenas, me gjithë problemet e brendshme në muajt e fundit, në rundin e parë të zgjedhjeve hyri pa kryetar të degës.

Tash, pak para mbajtjes së procesit të dytë të garës, PDK vendosi t’i jep kahje degës, duke e vendosur pa ndonjë proces, si Ushtrues Detyre të kryetarit, Ramiz Lladrovcin.

Më të marrë timonin e degës, Lladrovci menjëherë formoi struktura të reja brenda degës dhe emëroi kryetarët e nëndegëve në Drenas.

Me këtë vendim, Lladrovci i “shkarkoi” kundërkandidatin e tij Driton Ajazin dhe gjithë ata që u rreshtuan pas tij, e që kishin pozita brenda degës.

PDK e Drenicës – Raportet Lladrovci – Lushtaku

Drenica si rajon është konsideruar gjithmonë si bastion i paprekshëm i PDK-së.

Skenderaj e Drenasi kanë qenë qytetet të cilat i kanë sjellë PDK-së më së shumti vota por edhe përfaqësues në Kuvend të Kosovës.

Megjithatë raportet mes zyrtarëve të lartë të partisë nga këto dy degë nuk kanë qenë gjithmonë të mira.

Ramiz Lladrovci dhe njeriu më me ndikim i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ndonëse janë pjesë e të njëjtës shtëpi politike, raportet mes tyre i kanë të ngurta, madje duke i shpërfaqur shpesh herë edhe në opinion.

Rasti më i freskët është i viteve të fundit ku në luftën politike mes Sami Lushtakut dhe Bekim Jasharit, Lladrovci kishte vendosur të rreshtohet në krah këtij të fundit.

“100 Sami Lushtaka i jepi për Bekim Jasharin”, kishte deklaruar në Televizionin 7, Lladrovci në qershor të këtij viti.

Por që në prag të zgjedhjeve, kryetari i Drenasit “korrigjoi” vetën duke thënë se e kishte fjalën vetëm për familjen Jashari.

Gara më e rrezikshme ndonjëherë për PDK-në në Skenderaj dhe mbështetja e Lladrovcit për kundërkandidatin, nuk u pranua lehtë prej Sami Lushtakut.

Lladrovci në emisionin “Kallxo Përnime” në muajin maj, ishte shprehur se nuk është vendim i mençur nga ana e Lushtakut që të kandidojë për shkak të kaluarës së tij dhe jetëgjatësisë në qeverisje.

“Unë jam i bindur që Sami Lushtaku nuk ka me kandidu e nuk ka me qenë kandidat i Skenderajt. Ka me qenë vetë ai që ka me lëshu rrugë”, ishte shprehur Lladrovci, teksa më vonë shtoi se Lushtaku nuk do të mund të cerifikohet për shkak të proceseve gjyqësore.

Ngjashëm, me të njëjtën monedhë ia ktheu edhe Lushtaku. Sipas tij, Lladrovci nuk do duhej të kandidonte për shkak se nuk e gëzon mbështetjen e degës.

“Ramiz Lladrovci të mos kandidojë, nuk e ka mbështetjen e degës në Drenas. Nuk kam armiqësi me askënd e as me Ramizin. Është gabim i madh i Ramizit me i hi kandidaturës”, ishte shprehur Lushtaku në Televizionin 7, në korrik të këtij viti.

Sipas tij, kryesia qendrore e PDK-së është dashtë të jetë më e guximshme në Drenas.

“E kemi lëndu Drenasin, e kemi lëndu pa nevojë. Mendoj që fajet kryesore i ka kryesia e partisë. Është dashur një vendim më i guximshëm për Drenasin”, kishte thënë mes tjerash Lushtaku.

Pas rundit të parë të zgjedhjeve, kur zyrtarisht Ramiz Lladrovci mbeti në balotazh, ky i fundit hapur kërkoi nga Sami Lushtaku që ta mbështesë atë në garë dhe jo Ajazin.

Ndaj këtyre zërave nuk është parë ndonjë reagim nga Lushtaku e Fadil Nura (kryetari në ardhje i Skenderajt nga PDK), e as nuk janë parë të marrin pjesë në fushatën e balotazhit në Drenas, as për njërin, e as për tjetrin kandidat.

Përfshirja e nivelit qendror të PDK-së për t’i qetësuar gjakrat

Niveli qendror i PDK-së ishte akuzuar se nuk po i kushton vëmendje zhvillimeve të brendshme në përfaqësinë e saj në Drenas.

Në letrën e dorëheqjes, Sejdi Hoxha kishte akuzuar PDK se po e injoron dhe neglizhon situatën e krijuar në Drenas.

“PDK në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbaj pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë”, kishte shkruar Hoxha në letrën e dorëheqjes.

Në kohën kur ishte krijuar ‘lëmshi’ për kryetar të Komunës, Partia Demokratike e Kosovës nuk ishte deklaruar asnjëherë, përveç në rastet kur po rikonfirmonte se Ramiz Lladrovci është kandidat për kryetar komune.

Niveli qendror i PDK-së kishte qëndruar neutral ndaj zhvillimeve të muajve të fundit në Drenas, duke u munduar që të gjejnë një zgjidhje, pa pasur nevojë që dy njerëz që deri dje ishin bashkë, të dilnin kundërkandidat.

Pas zyrtarizmit të Ajazit si kundërkandidat i Lladrovcit, niveli qendror i PDK-së u mor vetëm me mbështetjen e kandidatit të tij.

Por qasja ndryshoji kur në diskursin publik po përmendej emri i ish-liderit të tyre, Hashim Thaçit.

PDK-ja reagoi fuqishëm kur rrodhën informacione nga ana e Driton Ajazit, se Lladrovci ka qenë dëshmitar kundër Thaçit dhe Veselit në procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë.

Driton Ajazi, që gjithë karrierën e tij politike ia kishte kushtuar vetëm këtij subjekti, PDK-ja e quajti mashtrues.

“I mësuar me logjikën e mashtrimeve e manipulimeve, Ajazi paturpësisht ka shpifur për procesin e Gjykatës Speciale, me të cilin po përballen liderët historikë të Kosovës dhe PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, thuhej në reagimin e PDK-së.

Sami Lushtaku nuk po shihet pranë Lladrovcit në fushatë, por para pak ditësh i pranishëm në krah të Lladrovcit u pa djali i ish-presidentit Thaçit, Endrit Thaçi.

Kurse Ajazi së fundi mori përkrahjen e kundërkandidatit në rundin e parë, Xhavit Drenorit, nga “Green për Drenasin” dhe ish-zyrtari i PDK-së, Naim Bazaj.

Rundi i dytë për kryetar të komunës do të mbahet më 14 nëntor.

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’