Ramë Likaj ‘tradhton’ Ambasadën britanike, hap tenderin në vlerë 1.3 milion euro pa konsultim me të (DOKUMENT)

Ministria e Arsimit ka hapur të martën një tender në vlerë prej 1 milion e 280 mijë euro për krijimin e sistemit të digjitalizimit për menaxhimin e arsimit.

Në lidhje me këtë ka reaguar Ambasada britanike në Kosovë, pasi që palët ishin dakorduar që në lidhje me hartimin e këtij tenderi të marrë pjesë edhe Ambasada.

KALLXO.com ka siguruar ‘notën e protestës’ që Ambasada britanike ia ka dorëzuar sot gjatë ditës ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Në letër ngritet shqetësimi nga ana e Ambasadës britanike për hapjen e procesit të tenderit.

“Me shqetësim të thellë kemi marrë lajmin se dje është publikuar dosja tenderuese e MASH lidhur me digjitalizimin e sistemit të manaxhimit të arsimit, me kosto €1.280.000”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe që e ka siguruar KALLXO.com.

“Me sa jemi në dijeni, Grupi Punues, i formuar nga vetë MASH, nuk ka qenë i njoftuar me përmbajtjen e këtij tenderi edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të kryesueses së Grupit Punues për stafin e MASH që të raportojnë çdo nismë të ndërmarrë në të kaluarën apo të tashmen lidhur me digjitalizimin e arsimit. Gjithashtu, drafti aktual i analizës së gjendjes për qëllime të SDAK nuk i referohet askund tenderit të publikuar dje”, thuhet tutje në reagim.

Ambasada britanike i ka kërkuar Ministrisë që për këtë tender të priste deri në miratim, në mënyrë që çdo investim të jetë plotësuar dhe i harmonizuar me planin e veprimit.

“Marrë parasyshë zotimin e MASH për ndarjen e fondeve për zbatimin e SDAK të shprehur në Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, si dhe marrë parasyshë punën e mirë të bërë nga Grupi Punues (me ndihmën e konsulentëve të jashtëm të arsimit dhe TIK-ut) do të ishte mirë që ky tender të priste deri në miratimin e SDAK, në mënyrë që çdo investim për digjitalizim të jetë plotësisht i harmonizuar me Planin e Veprimit të SDEK dhe me mundësitë buxhetore të MASH. E njejta gjë i është kërkuar në vazhdimësi edhe komunitetit të donatorëve”, thuhet në reagimin e sotëm të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

ër këtë tender, Ministria ka njoftuar se do të pranoj më së shumti 6 oferta të kompanive, pavarësisht se sa do të aplikojnë.

 

Hapja e tenderëve sipas planifikimit të Ministrisë së Arsimit pritet të bëhet me 8 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në dosjen e tenderit janë paraparë që të krijohen disa aplikacione, një për Android, një për iOS dhe një Ueb shfletues.

Pastaj në këtë tender hynë edhe trajnimet për përdorimi të aplikacioneve, borshura, reklamime, fushata në rrjete sociale, televizione e radio.