Ministria e Arsimit anulon tenderin 1.3 milionësh për digjitalizim pas kundërshtimit të britanikëve

Ministria e Arsimit e ka anuluar tenderin prej 1.3 milion euro për krijimin e sistemit të digjitalizimit për menaxhimin e arsimit.

Ky vendim i Zyrës së Prokurimit të Ministrisë erdhi menjëherë pas notës së protestës që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ia kishte nisur ministrit Ramë Likaj.

Ambasada Britanike përmes një letre kishte shprehur shqetësimin me vendimin e Ministrisë për të hapur tenderin, pa u njoftuar paraprakisht Ambasada, me të cilën ishin dakorduar që procesin ta çojnë përpara së bashku.

“Me sa jemi në dijeni, Grupi Punues, i formuar nga vetë MASH, nuk ka qenë i njoftuar me përmbajtjen e këtij tenderi edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të kryesueses së Grupit Punues për stafin e MASH që të raportojnë çdo nismë të ndërmarrë në të kaluarën apo të tashmen lidhur me digjitalizimin e arsimit. Gjithashtu, drafti aktual i analizës së gjendjes për qëllime të SDAK nuk i referohet askund tenderit të publikuar dje”, thuhej në reagimin e Ambasadës Britanike.

Në arsyetimin për anulimin e këtij tenderi, Ministria thotë se ngjarjet dhe arsye objektive kanë çuar deri në anulimin e procesit.

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, thuhet në vendimin për anulim të tenderit.

Ambasada Britanike i kishte kërkuar Ministrisë që për këtë tender të priste deri në miratim, në mënyrë që çdo investim të jetë plotësuar dhe i harmonizuar me planin e veprimit.

“Marrë parasyshë zotimin e MASH për ndarjen e fondeve për zbatimin e SDAK të shprehur në Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, si dhe marrë parasyshë punën e mirë të bërë nga Grupi Punues (me ndihmën e konsulentëve të jashtëm të arsimit dhe TIK-ut) do të ishte mirë që ky tender të priste deri në miratimin e SDAK, në mënyrë që çdo investim për digjitalizim të jetë plotësisht i harmonizuar me Planin e Veprimit të SDEK dhe me mundësitë buxhetore të MASH. E njëjta gjë i është kërkuar në vazhdimësi edhe komunitetit të donatorëve”, thuhej në reagimin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht për reagimin e ambasadës në lidhje me këtë proces të tenderimit.

Ramë Likaj ‘tradhton’ Ambasadën britanike, hap tenderin në vlerë 1.3 milion euro pa konsultim me të (DOKUMENT)