Pavarësia e tregut energjetik të Kosovës mirëpritet nga ambasada e Britanisë së Madhe

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mirëpritur marrëveshjen e re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, me anë të së cilës marrëveshje Kosova fiton pavarësinë energjetike.

“Urime Kosovës për votimin e suksesshëm për marrëveshjen për kyçjen në mes operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike KOSTT, dhe rrjetit Evropian të operatorëve ENTSO-E, marrëveshje që tash mund të nënshkruhet. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, dje ka njoftuar se sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E).

Hajdari ka thënë se marrëveshja e re është miratuar nga RGCE (Grupi Regjional i Evropës Kontinentale).

Ajo ka shtuar se me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, të Marrëveshjes së Re të Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike, për të cilën është punuar disa vite me radhë.