Ambasada britanike mbështet aksionin e Policisë së Kosovës  

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pas zhvillimeve në veriun e vendit dhe aksionit të Policisë së Kosovës për kontrabandë.

Kjo ambasadë i ka ofruar mbështetje Qeverisë së Kosovës në respektimin dhe sundimin e ligjit duke thënë se përpjekjet për të penguar me dhunë aksionin e Policisë ndihmon në ndarjen e komuniteteve në Kosovë.

“Veprimi kundër krimit të organizuar është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Përpjekjet për të penguar këtë veprim me dhunë, si dhe përdorimin e retorikës nxitëse, shërben vetëm për të ndihmuar ata që kërkojnë të krijojnë ndarje në mes të komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Tutje, Ambasada e Britanisë së Madhe është shprehur e shqetësuar për sulmet ndaj gazetarëve nga qytetarët serb dje në veri të vendit.

“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për raportet e frikësimit të gazetarëve që përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe të raportojnë faktet në terren. Gazetarët kanë të drejtë të veprojnë në një mjedis të sigurt, dhe ata që e kërcënojnë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, vazhdon komunikata.

Që nga mëngjesi Policia dhe Dogana e Kosovës dje kanë ndërmarrë operacion kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës janë përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

Nga këto protesta rreth 10 policë mbetën të lënduar ndërsa ekipe të gazetarëve janë sulmuar duke penguar punën e tyre.

FOTO – Largohet barrikada në Mitrovicën e Veriut