Foto: KPK

Ambasada britanike thotë se ofroi mbështetje për zgjedhjen e kryeprokurorit, por që nuk iu kthye përgjigje nga KPK

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

Kjo ambasadë ka thënë se i ka ofruar mbështetje KPK-së në rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit por që KPK e ka shpallur konkursin pa iu kthyer përgjigje dhe pa mbështetje të Ambasadës.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).  Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e fundit të mbajtur ka marrë vendim dje për shpallje të kandidaturës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorit Lumezi i skadon mandati në prill të këtij viti. Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur për 15 ditë, duke filluar nga data 17 janar.

Shpallet konkurs për Kryeprokuror të Shtetit, Lumezit i skadon mandati në prill