Ramadani: Falë qytetarëve kemi arritur të mbajmë nën kontroll pandeminë

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, në një konferencë për media ka folur lidhur me situatën pandemike në Kosovë.

Ramadani tha se situata është mbajtur nën kontroll falë qytetarëve që i kanë zbatuar masat e IKSHPK-së.

“Situata epidemiologjike tani është më e qëndrueshme. Ju e keni vërejtur edhe lakoren e ecurisë së pandemisë.  Edhe me të drejtë ju keni pyetur se kur është rreziku i pandemisë. Ne kemi arritur ta mbajmë situatën nën kontroll duke e mbajtur lakoren e sheshtë “.

“Deri më tani i kemi 1032 raste. Ne kemi thënë se rreziku i shpërthimit të pandemisë ka qenë muaji prill. Ne e kemi mbajtur nën kontroll jo vetëm me masat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por edhe me zbatimin e tyre nga ana e qytetarëve dhe me përkufizimin e tyre. Ne e kemi tejkaluar bashkërisht këtë situatë pandemike, por akoma nuk ka kaluar, sepse ne jemi në një bisht i cili mund të zgjasë deri disa javë”./RTK