Rama uron që të ketë bashkëpunim të dobishëm me qeverinë Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka uruar suksese Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së në formimin e qeverisë.

Rama ka uruar që të kenë bashkëpunim të dobishëm për shqiptarët në të dy anët e kufirit.

“Pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, ka shkruar Rama në Twitter.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.

Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.

Në muajin tetor të vitit 2019, Kurti ishte pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky ishte takimi i parë mes tyre pas një kohe të gjatë raportesh të ftohura.

Ky takim kishte zgjatur më shumë se tri orë.