Foto: Edi Rama/Facebook

Rama në Ukrainë: Konsiderojeni njohjen e Kosovës, ata njerëz e meritojnë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron në Kiev i shoqëruar nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Të dy patën takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kryeministri Edi Rama në takimin me homologun e tij ukrainas, Denys Shmyhal, kërkoi që Ukraina të konsiderojë njohjen e Kosovës. Kreu i qeverisë, tha se Kosova e meriton një gjë të tillë, pasi nuk mbetën peng i së shkuarës, raporton ABC News.

“Ju të rikonsideroni njohjen e Kosovës pasi ata njerëz e meritojnë, ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme sepse nuk mbetën peng i së shkuarës për të kujtuar sesi u soll Ukraina kur Kosova sulmohej. Kjo do të ishte mirë që Ukraina ta rikonsideronte dhe të përçonte mesazhin e duhur në emër të komunitetit të ri politik evropian”, tha Rama.

Ndër të tjera, Rama tha se Shqipëria dhuroi 1 milion euro për Ukrainën, një shumë që e konsideron si simbolike për të treguar respekt. Po ashtu, kryeministri përsëriti edhe në takimin me Shmyhal se bashkë me vendet e tjera të Ballkanit të ndërtojnë blloqe banimi në qytetet e shkatërruara nga lufta.

“Faleminderit që ndatë me ne realitetin jo më në foto të atyre që kemi parë. Ishte shumë e dhimbshme të gjendeshe aty dhe të shihje që këto qytete ishin shndërruar në qytete të humbura. Të bashkohemi në përpjekjet tuaja për të rindërtuar këto qytete.

Rama tha se përveç 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë rreshtuar krah Ukrainës, aty është edhe Kosova, pavarësinë e së cilës ende nuk e ka njohur Ukraina. Më tej ai tha se Kosova i është bashkuar sansksioneve kundër Rusisë edhe pse Ukraina nuk e ka njohur.

“Ballkani Perëndimor ka pesë vende në Kombet e Bashkuara, dhe të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht konteksteve të ndryshme, pavarësisht marrëdhënieve me Rusinë. Por, ka edhe një vend të gjashtë që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova e cila pavarësisht kësaj, po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë me sanksione dhe me mbështetjen e plotë”, theksoi kryeministri Rama.