Rama flet për qentë endacak: Duhet bashkëpunuar me komunat, nuk zgjidhet me Prishtinën

Komuna e Prishtinës ka organizuar tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare, si dhe aktorë të tjerë profesional të fushës lidhur me përpilimin e strategjisë kornizë për trajtimin e qenve endacak.

Pas takimit, kryetari Përparim Rama deklaroi se janë pajtuar që të kenë një bashkëpunim të nivelit lokal dhe qendror bashkë edhe me organizatat joqeveritare dhe ekspertë ndërkombëtar që ligjet të jenë të përbashkëta.

Sepse siç tha ai, nuk zgjidhet çështja e trajtimit të qenve endacak vetëm me Prishtinën.

“Pikat të cilat i shqyrtuam është se komunat faktikisht duhet të punojnë së bashku, pra problemi nuk mund të zgjidhet vetëm në nivelin lokal, në Komunën e Prishtinës, por duhet të jetë një bashkëveprim rajonal. Një bashkëveprim gjithë shtetërorë për zgjidhjen e problemeve të qenve endacakë.”, tha Rama në konferencë për media.

Sipas kryetari të Prishtinës, problemet kryesore vijnë si pasojë e mospërfilljes së rregulloreve.

“Problemet kyçe vijnë nga mospërfillja e rregullores dhe ligjit që tash është i nivelit qendror e po ashtu edhe i nivelit lokal ku kërkohet që çdo pronar i qenve të bëjë regjistrimin e qenve, që të kemi përgjegjësi të pronarëve që kanë qenë, në mënyrë që në momentin që lëshohen të dihen të kujt janë, të jenë të menaxhuar dhe të mos vazhdojmë shtimin e popullimit të qenve ” u shpreh Rama.

“Është edhe organizimi i pikave të ushqimit nëpër zona të ndryshme, sepse qentë janë të ushqyer janë më pak të rrezikshëm. Gjithashtu ngritja e vetëdijesimit të qytetarëve edhe nëpër fshatra, sepse problemet kyce vijnë nga zonat rurale”, shtoi kryetari Rama.

I pari i Prishtinës bëri të ditur se është riinicuar projekti i Qendrës për Sterilizim. Sipas tij, është gjetur edhe toka ku ka filluar procesi i dizajnimit të strehimores që do të jetë afër Badovcit.

“E kemi inicuar kontratën me organizatën joqeveritare e cila merret pikërisht me këtë çështje pra kastrim-sterilizimin e qenve. Aspekti tjetër është se duhet të merremi me pika të ndryshme, pra nuk është një gjë lineare, janë aspektet tjera të ushqimit të qenve, për momentin janë vetëm pesë pika, ne jemi duke i bërë 20 dhe tërë kohën duke i monitoru edhe pikat tjera që duhet me u shtu për me e zbrit problemin e kafshimit nga qentë”, u shpreh tutje kryetari Përparim Rama.

18 janar, kryetari Rama njoftoi se është nënshkruar kontrata për vazhdim të trajtimit të qenve endacakë. Sipas tij, kjo kontratë përfshinë zënien, kontrollin, ushqimin, vaksinimin, identifikimin, sterilizimin, hospitalizimin dhe lëshimin.