Rama: Do të votoja pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në një referendum

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri në mbledhjen e përbashkët në Elbasan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë..

Në pyetje të gazetarëve nëse do votonin në një referendum për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, kryeministri Edi Rama tha nëse kjo është një pyetje apo provokim.

Ai tha se nëse flasim për referendum paqësor do votonte ‘pro’, por se kur do ndodhë kjo, Rama tha se do flasë me gjuhën e një fallxhori.

“Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkim unë do bëja një shkelje për fshehtësinë e votës, do votoja hapur ‘pro’. Nëse më pyesni a do ndodhë kjo apo jo, meqë ju po më provokoni, kështu do bëjë edhe unë, po flas me gjuhën e fallxhorit ‘Nuk e di si dhe kur do ndodhë, por, që kjo do ndodhë një ditë them se po”, tha Rama.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka pas një moskuptim të çështjes së bashkimit.

Kurti potencoi se  nuk mund të vendosemi mbi procese të tilla historike që përcaktojnë data e mënyra.

“Mua më duket që ka më shumë moskuptim te kjo çështja e bashkimit, nuk është gjësend që e zgjedhim por një intencë kolektive që na përzgjedhë neve. Nuk mund të vendosni ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, tha Kurti.