Trupat jugosllave duke monitoruar pozicionet kroate në Vukovar, nëntor 1991. Foto: EPA/MAJA ILIC.

Kroacia padit një ish-paraushtarak serb për krim lufte në Vukovar

Kroacia paditi një ish-luftëtar 50-vjeçar për kryerjen e një krimi lufte kundër civilëve gjatë një sulmi në qytetin kroat të Vukovarit në 1991 nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.

Zyra e Prokurorit të Shtetit në qytetin e Osijekut njoftoi të martën se ka paditur një ish-luftëtar paraushtarak serb 50-vjeçar pa emër për kryerjen e një krimi lufte në një vendbanim afër Vukovarit në Kroacinë Lindore, dy muaj para rënies së qytetit të rrethuar.

Ajo tha se burri, një anëtar i njësisë paraushtarake Petrova Gora, akuzohet për “veprim në kundërshtim me rregullat e së drejtës zakonore ndërkombëtare të luftës dhe të drejtës humanitare për mbrojtjen e civilëve”.

Incidenti ndodhi gjatë një sulmi të armatosur nga forcat e përbashkëta të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe njësive paraushtarake serbe në Sajmiste.

Zyra e Avokatit të Shtetit pretendon se më 14 shtator 1991, i pandehuri dhe shokët e tij paraushtarakë, gjetën një grup civilësh, përfshirë gra dhe fëmijë, në bodrumin e një shtëpie, i kërcënuan ata me eksploziv dhe më pas i nxorën në oborr.

“Ata janë akuzuar se kanë urdhëruar shtatë burra të shtriheshin në tokë dhe për abuzimin e tyre… para grave dhe fëmijëve, duke i shkelmuar dhe duke i goditur në kokë dhe trup me grushte dhe qyta pushke”, tha ajo.

Një viktimë, një burrë i lindur në 1958, u kap nga një ushtar, i cili e kapi prej flokësh dhe ia përplasi kokën në dyshemenë prej betoni. Vajza tetë vjeçare e burrit të dëmtuar u frikësua nga ajo që pa dhe filloi të qante me të madhe, kështu që i pandehuri “iu afrua fëmijës dhe i drejtoi një tytë pushke në kokë, duke e kërcënuar atë”.

Burrat më pas u dërguan në një vend tjetër ku “në të njëjtën ditë, anëtarë të panjohur paraushtarakë serbë i vranë ata me armë zjarri”.

Një burrë fillimisht mbijetoi, por më pas u vra nga anëtarë të panjohur të forcave paraushtarake serbe në ditët që pasuan.

Zyra e Prokurorit të Shtetit bëri thirrje që i pandehuri, i cili është një shtetas kroat, të mbahet në paraburgim për shkak të rrezikut që ai mund të arratiset.

Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë rrethuan dhe granatuan Vukovarin intensivisht midis fundit të gushtit dhe mesit të nëntorit 1991.

Mbrojtësit e Vukovarit u dorëzuan më 18 nëntor 1991, pas së cilës e gjithë popullata jo serbe u dëbua nga qyteti dhe një numër i madh robërish lufte dhe civilësh u dëbuan në burgje dhe kampe paraburgimi në Serbi.

Qyteti përfundimisht u riintegrua në Kroaci në janar 1998. BI