Qytetarët të painformuar për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

Mbi 70 për qind e qytetarëve në Kosovë nuk kanë dëgjuar për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin ndërsa 14 për qind janë në dijeni për këtë komision, i cili u nis si ide e Presidentit Hashim Thaçi gati tri vjet më parë e për të cilin aktualisht është duke punuar një ekip përgatitor.

Kjo nismë ka ardhur në përpjekje për sigurimin e bazës për dialog mes komuniteteve të ndara në Kosovë.

Një hulumtim i prezantuar sot në Prishtinë tregon për perceptimit e opinionit rreth këtij komisioni

I pranishëm në debatin në të cilin u lansua ky raport ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në detyrën si President kam bërë iniciativën për krijimin e komisionit, prandaj që në fillim shpreh mirënjohjen më të lartë”, tha Thaçi.

Ai tutje tha se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të sjellë njohje reciproke për Kosovën dhe Serbinë.

“Kjo marrëveshje duhet të sjellë njohje reciproke për Kosovën dhe Serbinë, si dhe rrugën për në NATO dhe BE”, u shpreh Presidenti.

E rëndësishme, sipas Thaçit, është se Kosova dhe Serbia kanë besim në lidership.

Ndërsa, Ambasadori i ShBA- së në Kosovë, Philip Kosnett, para të pranishmëve tha se pajtimi është përgjegjësi e madhe.

“Puna e një kompromisi për pajtim është përgjegjësi e madhe”, tha ai.

Tutje ai potencoi se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin duhet t’i mbështetë viktimat, dhe se ato duhet të dëgjohen.

Në anën tjetër, Kathelijne Schenkel prezantoi raportin “Matja e përceptimit publik dhe dialogu për Komisionin e ardhshëm për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë”.

Ajo tha se ky komision duhet të gjejë mbështetje nga qeveria e Kosovës.

“Qeveria duhet të mbështesë komisionin me fonde të domosdoshme, të jenë të hapur për të gjitha të dhënat e të pagjeturve”, tha Schenkel.