Foto: QKMF "Dëshmorët e Lirisë'' Kaçanik

Qytetarë të Kaçanikut me simptoma helmimi, shkak dyshohet të jetë uji i pijes

Uji i cili burgon nga ujësjellësi rajonal në Komunën e Kaçanikut dyshohet të jetë njëra nga arsyet që shumë qytetarë që jetojnë në disa fshatra në këtë komunë, të kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të disa simptomave helmuese.

KALLXO.com ka biseduar përmes telefonit me kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, i cili tha se nga 80 qytetarë brenda ditës po kërkojnë tretman mjekësor.

“Ka një fluks, brenda ditës po lajmërohen nga 50 deri në 80 raste, me të vjella dhe diarre”, thekson kryetari Ilazi.

Gjendja me ujin e pijes në Kaçanik është nga dita e martë.

Kryetari i Kaçanikut tha se mostrat janë dorëzuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe janë duke pritur për një vlerësim zyrtar.

“Kemi një fluks të shtuar të pacientëve, kemi dyshimet tona por megjithatë kemi marrë osrat dhe i kemi dërguar në IKSHPK, analizat kimike kanë dalë se është gjithçka në rregull por jemi duke pritur edhe analizat bakteriologjike për të cilat duhet të pritet 72 orë. Pasi që të marrim një rezultat atëherë edhe do të veprojmë”, tha Kryetari Ilazi.

Madje Ilazi thotë edhe se kanë kërkuar që uji para se të përdoret në fshatrat e prekura të vlohet para përdorimit.

“Nuk mund të themi asgjë zyrtarisht, i kemi kërkua komunitetit në ato rajone që ta vlojnë ujin para përdorimit deri sa të marrim një version zyrtar se çka është duke ndodhur”, shtoi ai.

Në lidhje me problemin e shfaqur ditën e martë, Ilazi shprehet se më herët nuk kanë pasur ndonjë rast të tillë.

Uji për të cilin kanë dyshime përdoren që 30 vjet. Zakonisht uji është në ujësjellës që komuniteti e ka marrë në mënyrë vullnetare ne e kemi bërë një riparim të gypave para 4-5 viteve përmes ministrisë po nuk kemi pasur probleme deri më tani. Uji është në kompetencë të kompanisë që 2 vite në menaxhim”, shton tutje Ilazi.