Foto: Vigan Qorrolli/Facebook

Qorrolli e konsideron antikushtetues vendimin e KQZ-së për votuesit e diasporës

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Vigan Qorrolli, e ka vlerësuar antikushtetues vendimin e sotëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sipas të cilit në rast se votuesit nga diaspora nuk lajmrohen në telefon ata nuk mund të votojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përmes një postimi në facebook, Qorrolli ka thënë se me këtë vendim KQZ-ja ka shkelur të drejtat e njeriut.

“Ky është një vendim antikushtetues ‘par excellance’ – sepse asnjë shtetasi të Republikës së Kosovës, nuk mund t’i cenohet e drejta për të zgjedh dhe për t’u zgjedhur – e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës. Një vendim që në aspektin juridik i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa në aspektin politik i cenon garancitë e një procesi zgjedhor fer dhe të drejtë!”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës duhet të regjistrohen për votim përmes emailit.

Sipas vendimit të KQZ-së prej një email adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.

Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.

KQZ-ja do t’u telefonojë votuesve në diasporë, nëse nuk lajmërohen nuk mund të votojnë