QKUK blen pajisje për vendosjen e oksigjenit te pacientët

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka blerë 200 copë pajisje për lidhje direkte në Oksigjen.

Kontrata me operatorin Ekonomik “Ko-Med” në vlerë prej 8, 400 eurosh është dhënë më 28.07.2020 dhe pritet të nënshkruhet më 05.08.2020, pas një procedure në bazë të çmimit të kuotimit, e cila bazohet në një konkurrencë të kufizuar. Në këtë procedurë, Autoriteti Kontraktues kërkon oferta nga tri kompani.

Në këtë tender kishte ofertuar kompania “Trimi Med” që kishte ofertuar 8,700 euro dhe kompania “Elektromonimi” që e kishte ofertuar të njëjtin çmim, pra 8,700 euro. Kompania “Ko-Med” kishte ofertuar me çmimin prej 8,400 euro që ishte shpallur fitues i kësaj kontrate.

Në kontratë thuhet që QKUK do të furnizohet me 100 copë Flloumetra të Oksigjenit direkt në konjektore, dhe 100 copë manometra për kyçje direkte në bombole.

QKUK blen 200 pajisje për oksigjen në vlerë prej 8,400 euro

Në këtë tenderë përfshihen edhe pajisje tjera si: Pajisje mjekësore dhe laboratorike, pajisje optike dhe precize, sahat dhe orë farmaceutike dhe konsume mjekësore të ngjashme.

Këto pajisje do shërbejnë për nevojat klinike të QKUK-së.

Sipas Farmacistëve të Barnatores Qendrore të QKUK-së këto janë pajisje të vogla që nevojiten patjetër kur lidhet pacienti me Oksigjen.

Flloumetri e matë sasinë e gazit (në këtë rast oksigjenit), kurse Manometri shërben për matje të shtypjes së gazit.

Kallxo.com muajin e kaluar ka raportuar për shpenzimin prej 1.2 milionë euro që bëri Kosova për blerje të Oksigjenit.

Blerja e pajisjeve për oksigjen është bërë pas rasteve të vdekjeve të dyshimta në QKUK. Në muajin korrik, policia kishte rrethuar Klinikën e Infektivës pas dyshimeve për disa vdekje të mistershme të cilat kishin ndodhur orët e para të mëngjes të së dielës.

Dyshimet ishin për katër vdekje të njëpasnjëshme. Pacientët kishin qenë të infektuar me covid-19.

Ish-drejtori i ShSKUK, Basri Sejdiu në një konferencë për media kishte thënë se ka qenë një mjek kujdestar që kishte njoftuar shërbimin teknik pasi ishte informuar për rreth katër vdekje të cilat kishin ndodhur në një afat të shkurtër kohor.

Ministria e Shëndetësisë sot e atë ditë nuk ka dhënë diçka konkrete në lidhje me këtë rast.

Ndërkohë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) më 24 korrik 2020 ka nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Medica’ për furnizim me oksigjen në vlerë prej 307,530 eurove.

Data e hapjes së tenderëve ishte më 21 korrik.

Kontrata me titull ‘Oxygen – Inhalim – Per perdorim ne menaxhimin e Hipoksisë’ ishte e negociuar dhe në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani.

Sipas kontratës së nënshkruar, origjina e oksigjenit është nga Serbia. Po ashtu, sipas kontratës, çmimi për litër ishte 2 euro, ndërsa sasia është 153 mijë litra.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.