Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

QKSS: Rusia shtriu ndikimin në Kosovë duke identifikuar dobësitë e shoqërisë tonë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit, organizuan diskutimin në lidhje me ndikimin rus në Kosovë, mënyrat sesi aplikohet dhe çfarë duhet bërë për shmangien dhe aftësimin e qytetarëve për të mos rënë pre e këtyre politikave.

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në QKSS tha se ky ndikim mund të ndahet në disa pika të cilat shkojnë nga niveli ndërkombëtar e deri tek ai lokal i ndikimit të politikave Ruse në Kosovë.

“Skema në të cilën u zhvillua hulumtimi është ndikimi rus në Kosovë, gjetjet nuk janë shumë spektakolare, ne kemi qenë shpesh subjekt i influencës ruse nga niveli i kombeve të bashkuara, këshilli i sigurisë si dhe politikat me Beogradin që kanë synim mos zhvillimin e shtetit të Kosovës. Influenca ruse është e ndërtuar në tri cikle, niveli ndërkombëtar, niveli rajonal si dhe ai lokal”, u shpreh Vrajolli.

Kurse këtë hulumtim e shpalosi Elis Vllasi, nga Universiteti “Purdue”, autor i këtij raporti.

Vllasi tregoi objektivat, kontekstin, rrugët që ndiqen si dhe çfarë mësimi duhet të marrim ne si shoqëri për të mos u bërë viktima të kësaj propagande.

“Influenca ruse në Kosovë nuk ka  të bëjë më Kosovën, por me Serbinë dhe rajonin, nuk është e drejtuar mbi shqiptarët por në kundërshtim të Kosovës. Objektivat e tyre janë shkatërrimi i shtrirjes së NATO-së dhe integrimi në BE, ndërtimi i imazhit rus si një fuqi globale”, u tha në raportin e zotit Vllasi.

Tutje ai përmendi edhe rrugët që ndjek Rusia për shtrirjen e influencës si dhe niveli sesa mund të arrijë ajo të ndikojë në Kosovë.

“Ndikimi i saj vjen kryesisht përmes rrugëve jo direkte, siç janë përmes institucioneve duke i dobësuar ato me mungesë koordinimi, rregulli dhe ligji, korrupsion, krim të organizuar, infrastrukturë të pazhvilluar. Në aspektin shoqëror këtë e bënë përmes propagandës, alarmimit të popullatës me nivele mosbesimi, nxitjen e ideve konspirative. Kurse këto të dyja bashkë niveli shoqëror dhe institucional në Kosovë kanë krijuar një dobësim të funksionimit të mirëfilltë, siç është sovraniteti i dyfishtë (serb-kosovar), si dhe lidhja emocionale e serbëve me kishën Ortodokse,” tha Vllasi.

“Maksimumi i këtij ndikimi është i pamundur sepse pjesa më e madhë e popullsisë janë pro-perëndimorë dhe nuk kanë lidhje etnike, kulturore dhe fetare me Rusinë, pjesa më e madhe e kësaj influence është ushtruar në nivel global, jo në Kosovë p.sh në diplomaci dhe ekonomi, kurse ndikimi lokal bëhet më shumë përmes Serbisë”, thuhet tutje në raport.

Vllasi numëroi disa nga mësimet që duhet t’i marrim si shoqëri për të mos u ndikuar dhe viktimizuar nga këto sulme që vijnë kryesisht nga jashtë.

“Serbia është qelësi, kërkoni llogaridhënie tek Serbia nëse doni më pak ndikim  rus, rriteni transparencën, duke publikuar raporte vjetore për këtë dukuri, ngrisni cilësinë në arsim sidomos  në mendimin kritik dhe lirinë e mediave duke zhvilluar më shumë gazetarinë hulumtuese, luftojeni korrupsionin si dhe përktheni sa më shumë lajme në gjuhën serbe dhe gjithashtu e fundit por ndoshta më e rëndësishmja përgatiteni Kosovën për anëtarësim në NATO”, përfundoi Vllasi.