Qeveria merr vendim për mosbllokim të llogarive bankare për tatimpaguesit

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme të mbajtur online, ka marrë vendim për shtyrjen dhe lirimin nga bllokimi të llogarive bankare të tatimpaguesve që kanë obligime tatimore, ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri me 30.04.2021.

Sipas njoftimit të qeverisë, kjo masë do të lehtësoj ushtrimin e aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, në gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.

Vendimi do të jetë në fuqi deri më datë 30.04.2021, dhe sipas tij hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30.06.2021.

Tutje thuhet se heqja e ndëshkimeve, të cekura më lartë, do të bëhet për të gjithë tatimpaguesit nëse bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit dhe interesit; bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste; ose në marrëveshje me ATK-në e paguajnë tatimin dhe interesin.

Vendimi obligon Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) që gjatë kësaj periudhe t’iu mundësojë tatimpaguesve të kryejnë obligimet tatimore bazuar në mundësitë financiare të tatimpaguesve, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të tyre financiar.