Qeveria Kurti ia zvogëlon buxhetin Presidentit

Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2020 ka vendosur që t`ia ulë buxhetin Zyrës së presidentit Hashim Thaçi për më shumë se gjysmë milioni euro.

Zyra e presidentit Hashim Thaçit për vitin 2020 pritet të ketë buxhet prej 3 milionë e 698 mijë e 709 euro, apo 520 mijë euro më pak se vitin e kaluar.

Në 2019, zyra e presidentit e kishte buxhetin 4 milionë e 219 mijë e 357 euro.

Derisa ish kryeministri Ramush Haradinaj e kishte rritur buxhetin e zyrës së presidentit për më shumë se 1 milion euro, qeveria e Kurtit ka vendosur të ia zvogëloj për 500 mijë euro.

Nga buxheti i këtij viti, zyrës së presidentit 1 milion e 99 mijë euro do t’i shkojnë për paga dhe shtesa.

Ndërsa 2 milionë e 181 mijë euro janë planifikuar të shpenzohen për mallra dhe shërbime.

Buxheti total i Qeverisë së Kosovës për vitin 2020 pritet të jetë 2 miliardë e 356 milionë e 860 mijë e 914 euro.