Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

Qeveria: Jemi marrë vesh orari me qenë 8 me 2, do t’i dërgojmë në Polici ankesat e qytetarëve

Kriza energjetike në vend ka ngritur shqetësime të mëdha te qytetarët, për shkak të reduktimeve për kohë të gjatë e pa paralajmërim.

Ka raportimet të shumta të qytetarëve se në disa vendbanime është duke pasur ndërprerje të energjisë elektrike me dhjetëra orë.

Në lidhje me këtë ka reaguar sot ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila ka paralajmëruar dërgimin e një dosje në Policinë e Kosovës me rastet e pranuara nga qytetarët kur energjia elektrike po ju ndalet më shumë se dy orë.

Përmes një reagimi në rrjetin Facebook ajo ka thënë se plani i reduktimeve i cili parasheh 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim, duhet të implementohet në mënyrë të barabartë, si dhe barra duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë konsumatorët.

Lidhur më këto raportime të qytetarëve ajo potencoi se gjatë ditës së djeshme ka ftuar në takim urgjent përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të energjisë: KEDS, KESCO, KOSTT dhe ZRrE.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të ministres Artane Rizvanolli:

“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar me dhjetëra raportime nga qytetarët e Rebublikës së Kosovës për reduktime të energjisë elektrike të cilat kanë zgjatur më shumë se dy orë. Orar ky që është udhëzuar nga KOSTT duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe për të cilin si Ministri e Ekonomisë i kemi kërkuar KESCO-s t’i mbajë të informuar me kohë të gjithë konsumatorët.

Plani i reduktimeve i cili parasheh 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim, duhet të implementohet në mënyrë të barabartë, si dhe barra duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë konsumatorët. Nëse kjo nuk ndodhë, siç edhe tregojnë raportimet nga tereni, atëherë ME është e obliguar që të marrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat e saj.

Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar disa ankesa që reduktimet e energjisë elektrike në disa zona kanë zgjatur deri në 20 orë. Për këtë arsye, dje i kam ftuar në takim urgjent përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante: KEDS, KESCO, KOSTT dhe ZRrE. Gjatë takimit kam kërkuar nga ta informatat dhe arsyet për reduktimet jashtë orarit të paralajmëruar, si dhe kam kërkuar nga KEDS që (me ndihmën e KOSTT) të sigurohen që orari të respektohet me përpikmëri gjatë reduktimeve. Për më shumë, kam kërkuar që KEDS të ndalë devijimet, përderisa Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete për subvencionimin e importit të energjisë elektrike.

Duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin.

Ndër të tjera, në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresa nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale.

Nga Inspektoriati i Energjisë kam kërkuar të kenë vigjilencë dhe angazhim të shtuar për të monitoruar situatën.

Ministria e Ekonomisë së bashku me Inspektoriatin e Energjisë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i sjellur para ligjit të gjithë personat fizikë e juridikë të cilët shfrytëzojnë krizën e energjisë elektrike me të cilën po përballemi, si dhe reduktimet e planifikuara, për të penguar furnizimin me energji e trajtimin e barabartë të të gjithë konsumatorëve.

Në një situatë si kjo na duhet mirëkuptim e solidarizim, por ja që zakonet e vjetra nuk harrohen lehtë nga keqbërësit të cilët krizat i shohin si mundësi përfitimi. Ndaj tyre do të verprojmë me forcën e ligjit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inspektoriati i Energjisë janë duke përcjellur situatën nga afër dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët që t’i raportojnë rastet e dyshimta në [email protected].”