Qeveria Hoti vendos Koordinator për Dialog

Sot në mbledhjen e  Qeverisë u miratua vendimi për themelimin e Këshillit të Ekspertëve për dialogun Kosovë-Serbi.

Zëvendëskryeminstri Driton Selmanaj, tha se Këshilli i Ekspertëve për Dialogun Kosovë-Serbi do të bëjë  analiza specifike dhe do të këshillojë kryeministrin dhe Qeverinë për çështje të dialogut me Serbinë.

Ky këshill do të përgatis dokumente për propozicionin e Kosovës, dokumente analitike, faktografike  dhe dokumente tjera sipas nevojës. Ndërsa buxheti i këshillit bëhet me propozimin dhe miratimin në Qeveri.

Sipas Selmanajt me miratimin e këtij vendimi, kryeministri do të emërojë koordinatorin për dialog i cili udhëheq punën e këshillit, është njëkohësisht edhe këshilltar i kryeministrit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij.

“Koordinatori është person kontaktues dhe kordinues në emër të kryeministrit  me të gjitha palët sa i përket procesit të dialogut.  Koordinatori sipas nevojës fton në këshill ekspert nga institucionet e ndryshme si dhe ekspert të jashtëm” tha Selmanaj.

Aktakuza e ngritur nga Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale e cila u publikua javën e kaluar ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçpër krime kundër njerëzimit, ka mjegulluar të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Aktakuza e Speciales ndaj presidentit dhe ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, përfshirë ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, u bë publike tri ditë para takimit të Uashingtonit më 27 qershor, i cili edhe më pas dështoi të mbahej.

Në këtë takim që ishte thirrur nga ShBA-të pritej të riniste procesi i negociatave mes të dyja vendeve, ndonëse ishte paralajmëruar se kishte të bënte me zhvillimin ekonomik.