Qeveria e burrave, nga 46 zëvendësministra vetëm tetë gra të emëruara

Qeveria Hoti që nga marrja e detyrës, ka bërë emërimin e zëvendësministrave në pothuajse në secilën ministri.

Nga 46 zëvendësministra sa janë emëruar gjithësej, kryeministri Hoti ka vendosur që vetëm tetë prej tyre të jenë gra, duke bërë që qeveria të udhëhiqet nga një shumicë burrash.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, ku figurojnë emrat e zëvendësministrave të emëruar, nga 16 ministri sa janë gjithësej, janë emëruar 46 zëvendësministra, por vetëm tetë prej tyre janë gra.

Gratë të cilat janë emëruar në pozitën e zëvendësministres në Qeverinë Hoti janë Burbuqe Bakia-Deva nga AAK, e cila është emëruar si zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Fatbardha Emini nga LDK është emëruar si zëvendësministre në Ministrinë për Pushtetin Lokal, Jasmina Jovanoviq nga LS është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Financave, Magbule Shkodra nga AAK është emëruar zëvendësministre në Ministrinë për Pushtetin Lokal, Sema Ispahiu në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Teuta Sahatqija nga LDK është emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Valdete Bajrami nga NISMA është emëruar  zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Sadika Kofrc zëvendësministre nga Bashkimi Social Demokratik (Sdu)

Përkundër numrit të vogël të grave në pozita udhëheqëse, për herë të parë që nga paslufta institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, Kuvendi i Kosovës, udhëhiqet nga një grua, e cila është Vjosa Osmani.

Poashtu për herë të parë një grua mban postin e zëvendëskryeministres, por vetëm 3 nga gjithsej 16 ministri udhëhiqen nga gratë në Qeverinë Hoti.