Qëndron Kastrati kritikon Kadri Veselin: Po e vajton problemin që e krijoi vet

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka kritikuar kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, pas vizitës që i bëri komunës së Kamenicës.

Npërmjet një postimi në Facebook, Kastrati ka shkruar se Veseli ka ardhë me e vajtu problemin që e ka krijuar ai vet me partinë e tij, në lidhje me mbylljen e disa shkollave në Kamenicë.

“Paska ardhë burri i botës me e vajtu problemin qe e ka krijuar ai vet me partinë e tij. Nëse duhet bërë renditjen e atyre që kanë përgjegjësi për këtë shpërngulje të njerëzve nga Kamenica dhe jo vetëm, në krye të saj është keqqeverisja e PDK-së. Kjo keqqeverisje, me politikat e gabuara ekonomike i ka lënë njerëzit buzë ekzistencës; pasurinë publike e ka trajtuar si plaçkë, kurse resoret si arsimi e shëndetësia bazë klientelizmi; kjo qeverisje e ka lënë Kamenicën pa investime dhe Kosovën pa perspective”, ka shkruar Kastrati.

Tutje në shkrimin e tij, Kastrati ka arsyetuar projektin e tij për mbylljen e disa shkollave në komunën e Kamenicës, që sipas Kastratit, po bëhet për shkak se Kamenica ka 40% më pak nxënës se në vitin 2011.

“Secili që është interesuar sadopak për këtë punë e di që nuk ka mësimnxënie kur mësuesi në një klasë me 5 nxënës i ka dy ditarë me vete, njëri për klasën e parë, tjetri për të katërten.

Standardi evropian i projektimit që kërkon 20 nxënës për klasë, bashkë me metodat e mësimit në grupe, kanë një qëllim konkret mbrapa. Ky numër, përmes punës në grupe mundëson shoqërizim e bashkëpunim. Njëkohësisht, duke e shmangur mësimdhënësin si qendër e dijës u jep mundësi nxënësve për autonomi e vetëzhvillim, duke e tejkaluar kështu mësimin mekanik”,  ka shkruar kryetari i Kamenicës.

Ky është postimi i plotë i tij

 

Kadri Veseli paska ardhur në Kamenicë gjatë vikendit. Ai na paska akuzuar se po i mbyllim shkollat e po i detyrojmë njerëzit të largohen. E kundërta është e vërtetë. Ne po e bëjmë riorganizimin e shkollave si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. Paska ardhë burri i botës me e vajtu problemin qe e ka krijuar ai vet me partinë e tij. Nëse duhet bërë renditjen e atyre që kanë përgjegjësi për këtë shpërngulje të njerëzve nga Kamenica dhe jo vetëm, në krye të saj është keqqeverisja e PDK-së. Kjo keqqeverisje, me politikat e gabuara ekonomike i ka lënë njerëzit buzë ekzistencës; pasurinë publike e ka trajtuar si plaçkë, kurse resoret si arsimi e shëndetësia bazë klientelizmi; kjo qeverisje e ka lënë Kamenicën pa investime dhe Kosovën pa perspektivë; kjo qeverisje i ka degdisur njerëzit duke i lënë vetëm. Kush si ka mundur, disa brenda Kosovës, në Prishtinë apo Gjilan, të tjerët kanë marrë botën në sy.

Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. Në anën tjetër, duke bërë politikë struci, të udhëhequr nga interesat afatshkurtëra klienteliste, qeverisjet lokale, njëra pas tjetrës kanë vazhduar me numrin e njejtë të punësimeve, sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Secili që është interesuar sadopak për këtë punë e di që nuk ka mësimnxënie kur mësuesi në një klasë me 5 nxënës i ka dy ditarë me vete, njëri për klasën e parë, tjetri për të katërten.

Standardi evropian i projektimit që kërkon 20 nxënës për klasë, bashkë me metodat e mësimit në grupe, kanë një qëllim konkret mbrapa. Ky numër, përmes punës në grupe mundëson shoqërizim e bashkëpunim. Njëkohësisht, duke e shmangur mësimdhënësin si qendër e dijës u jep mundësi nxënësve për autonomi e vetëzhvillim, duke e tejkaluar kështu mësimin mekanik. Në shumë shkolla të Kamenicës, për shkak të mungesës së kuadrove sot kemi arsimtarë që mbajnë orë që nuk përputhen me kualifikimin e tyre. Riorganizimi i shkollave ndikon në rritjen e cilësisë sepse mundëson që në shkollat e mbetura t’i kemi mësimdhënësit më të mirë. Ky riorganizim mundëson investime të qëndrueshme në infrastrukturë, por edhe menaxhim më efikas të shkollave.

Kush brengoset njëmend për arsimin e di që kjo reformë është domosdoshmëri. Kjo reformë nuk ka filluar deri tash pikërisht sepse gjithçka që është bërë deri më tash ka qenë ruajtje e status-quos duke dëmtuar fëmijët. Ne e dimë që kjo reformë nuk është popullore dhe askush që nuk mendon më shumë sesa mandati i ardhshëm nuk i përvishet kësaj pune. Ne e dimë se zbatimi i kësaj reforme mund t’i kushtojë qeverisjes aktuale, por jemi të bindur se prej saj do të përfitojnë nxënësit.

Për fund, dua t’i siguroj të gjithë të shqetësuarit se qëllimi i reformës nuk është largimi i njerëzve nga puna dhe rëndimi i gjendjes. Ne tashmë kemi paraprë masa që nuk e lënë askend në rrugë.