Qasje në ujë të pijshëm, kanalizim funksional e çerdhe publike, premtimet e Kurtit në Viti

“Qasje në ujë të pijshëm e në ndriçim, kanalizim funksional, çerdhe e qendra të kujdesit mjekësor dhe infrastrukturë publike këtë e bën granti i katërt i qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje dedikuar komunave anembanë Kosovës, përfshirë këtu edhe Vitinë”, ishin premtimet e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një tubimi në komunën e Vitisë.

Kurti tha se me qeverisjen e partisë së tij, komuna e Vitisë do të përfitojë direkt nga granti i katërt për komuna, i cili e ka vlerën e 600 milionë eurove për 4 vjet.

Ai premtoi edhe rritje të investimeve në shëndetësi.

“Në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar ne do ta rrisim investimin në shëndetësi për 120 milionë euro, në mënyrë që të sigurojmë ilaçet bazë dhe të ndërtojmë kujdesin shëndetësorë që e meritojmë e na takon”, deklaroi lideri i Vetëvendosjes.

Kurti duke folur për qeverisjet e kaluara tha se 350 mijë njerëz janë larguar nga Kosova në 10 vitet e fundit, që sipas tij më shumë se në kohën e okupimit.

“Papunësia në mesin e të rinjve është mbi 50%, kurse vetëm 1 në 8 gra ka një vend pune. E nga ta të punësuarit që janë pakicë, vetëm  1/4  kanë kontrata afatgjate. Afër 18% e popullsisë jeton në varfëri ekstreme. Ekonomia jonë është rrënuar dhe është vjedhur, në vitin që e kemi lënë pas, kemi importuar nëntë fish më shumë se që kemi eksportuar, në këto pak eksporte që kemi bërë, më shumë se 1/3 e tyre janë metale bazë, shumica skrap, por edhe metale të papërpunuara”, tha ai.

Kryetari i Vetëvendosjes tha se zgjedhjet nuk janë për partitë, por për popullin dhe janë ata që po e kërkojnë ndryshimin.

“Ju jeni ata që zgjidhni se kush do të qeverisë me vendin. Ju jeni ata që vendosni se çfarë të ardhme doni të ndërtoni për veten dhe fëmijën tuaj. Prandaj këto zgjedhje janë tuajat . Këto zgjedhje janë tuajat, Lëvizja është e juaja, qeveria është e juaja, vendi është i juaji, Vitia është e juaja, Kosova është e juaja. Ndryshimin që ne e duam është ndryshimi që na duhet. Nuk është ndryshim i vogël e as i rrejshëm si gjithë të tjerët, por është i madh dhe i vërtetë sikurse ju, sikurse ne, sikurse të gjithë bashkë”, deklaroi Albin Kurti gjatë tubimit në Viti.