Urgjenca e Spitalit të Pejës | Foto: KALLXO.com

Punimet në Spitalin e Pejës ndalin shërbimet e CT-së për disa ditë

 

Qytetarët e Pejës nuk do të mund të marrin shërbime të CT-së në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për disa ditë, për shkak të disa punimeve që po bëhen aty.

Ky spital ka njoftuar se lëvizshmëria dhe ofrimi i disa shërbimeve është vështirësuar, sidomos shërbimet e Radiologjisë. Pas përfundimit të këtyre punimeve, për herë të parë do të pajisen me rezonancë magnetike.

Për KALLXO.com menaxhmenti i këtij spitali tha se punimet në Repartin e Radiologjisë pritet të përfundojnë më 22 nëntor.

“Në Repartin e Radiologjisë që po renovohet janë duke u bërë punime në dysheme nga data 14.11.2022 e që priten të përfundojnë më datë 22.11.2022”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Shërbimet e tjera si Rëntgeni dhe Ultrazëri, ata thanë se ofrohen edhe në lokacione të tjera brenda Spitalit.

Sipas njoftimit, punime janë duke u zhvilluar edhe në asfaltimin e rrugëve dhe parkingjeve, të cilat ata i cilësuan si tepër të nevojshme. Këto punime janë financuar nga buxheti i spitalit.

Ndërsa, treguan se punimet në instalimin e ashensorëve në Bllokun Internistik dhe në objektin e Ambulancave Specialistike janë duke u kryer me donacion të një bashkatdhetari në SHBA, Armend Pepshi.

Ndërkaq, kanë përfunduar punimet në rrjetin e oksigjenit kryesor të financuar nga Banka Botërore dhe punimet në rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes qendrore të financuar nga buxheti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

Spitali i Pejës në njoftim ka kërkuar durimin dhe mirëkuptimin e pacientëve dhe qytetarëve pasi që thanë se këto punime po bëhen për të krijuar kushte më të mira në ofrimin e shërbimeve shëndetësore që ata e kanë detyrë dhe synim.