Punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, Aliu: Vera do ta zë të kryer rrugën deri në Vushtrri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i  Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrat, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, e nisën javën duke parë nga afër punën në Projektin ”Zgjerimi i Rrugës Nacionale M2″, të rrugës Prishtinë – Mitrovicë sot me datë 04.03.2024.

Ministri Aliu thotë se punët janë marrë seriozisht nga ana e operatorit dhe mbikqyrjes si  dhe punimet priten të përfundojnë brenda afateve.

“Nga ana e ministrisë janë heq të gjitha problemet që kanë të bëjnë me shpronësime dhe pjesët e tjera teknike dhe automatikisht si po arrijmë të zgjidhim këto probleme qoftë të projektit qoftë të shpronësimeve, pjesa tjetër e punimeve po është shumë më e lehtë dhe shumë më e shpejtë. Ne besojmë që vera këtë pjesë deri në Vushtrri do ta zë të kryer dhe pastaj mbetet pjesa nga ana e Gojbulës anej, segmenti Bajpasit që edhe ai shpresoj me u kry brenda afatit”- u shpreh ai.

E kryeministri Kurti tha se se në qeveritë e kaluara “ka pasur plane të dobëta.”

“Në të kaluarën ka pasë plane të dobëta, përgaditje të pakta dhe zvarritje të gjata. Tash me qeverinë tonë ne kemi shumë përgaditje, plane të hollësishme andaj edhe punët janë të rregullta sipas procedurave, sipas ligjit me mbikqyrje dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë sigurisht angazhimi ynë, përkushtimi ynë por edhe mbikqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomikë të cilët i zbatojnë punët.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se projektet e rradhës janë autostrada Prishtinë- Gjilan dhe autostrada Prishtinë-Podujevë.

“Ky (projekti i autostradës Prishtinë- Mitrovicë) dhe Podujeva presim që brenda afateve të kryhen. Ndërsa do të fillojmë me prokurimin këtë vit të vazhdimit të autostradës nga Gjilani në Dheun e Bardhë. Ndërkohë që punimet në pjesën e Gjilanit, pra nga Prishtinë- Gjilan edhe përkundër problemeve të shumta që i kemi mbase të natyrës së njejtë me ato probleme  që i kemi pasë këtu.  Atje jemi ma në situatë që mund t’i zgjedhim të gjitha, të arrijmë ta përfundojmë brenda këtij viti duke fillu edhe në pjesën tjetër deri në dheun e bardhë dhe në fund të gjitha këto të lidhen edhe me projektin e rëndësishëm të autostradës që është nga Qafa e Dulës deri në Banullë që është lidhje e të gjitha autostradave në vend, është një projekt i cili është pranu tashmë”- përfundoi Aliu.

Pas përmbylljes së projekteve për autostradat sipas Aliut do të jënë në fokus hekurudhat.

Ndryshe, Me një vlerë kontrate prej 25 milionë euro, projekti për autostadën Prishtinë- Mitrovicë financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OPEC Fund) në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim (Saudi Fund for Development SFD).

KALLXO.com me datë 17.10.2023 kishte raportuar për mllefin e  qytetarëve për vonesën mbi 10-vjecare të rrugës Mitrovicë-Prishtinë.