Punëtorët fizikë e teknikë të Universitetit të Prishtinës në grevë më 16.02.2024

Punëtorët fizikë e teknikë të Universitetit të Prishtinë në grevë, kërkojnë rritje rrogash

Rreth 250 punëtorë fizikë e teknikë në Universitetin e Prishtinës kanë hyrë sot më 16.02.2024 në grevë.

Kërkesa e tyre është që të marrin së paku 400 euro në muaj, përderisa thonë se aktualisht marrin 250 deri në 300 euro neto.

“Për momentin jemi me 257 euro, çmimet janë rritur, gjithçka është t’u shku sipër, na kemi stagnu me këtë rrogë. Jemi shumë, shumë dobët me rroga. Për këtë arsye edhe jemi në grevë” – tha Bukuriije Krasniqi, higjieniste në Fakultetin e Edukimit.

“I marrim 300 euro. Të gjithë po i shohim harxhimet, kushtet në Kosovë qysh janë, për këtë shkas jemi hy në grevë prej sotit” – tha Bujar Hasani që punon si sigurim qe 17 vite në të njëjtin fakultet.

Këta punëtorë thonë se paratë që marrin nuk janë të mjaftueshme as për plotësimin e nevojave bazike.

“Paga jonë nuk i mbulon as shpenzimet minimale të shtëpisë, se një shportë me shku në market gjërat minimale që i blen, s’po e them maksimale, por minimale duhesh me e pagu faturën 250 euro” – tha Azemine Dumani, higjieniste në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FShMN).

Ajo shprehi shqetësimin e saj për mosarritjen e plotësimit të kushteve për fëmijët e saj.

Grevistët thonë se nuk do të zbrapsen deri në plotësimin e kësaj kërkese, e madje u shprehën të gatshëm edhe për të lënë punën.

“Derisa të na plotësohen kërkesat tona, na nuk tërhiqemi. Ose jemi të gatshëm edhe punën krejt me e lëshu, në qoftë se janë edhe këta të gatshëm me i gjet përmbi 200 punëtorë, pastrim, sigurim edhe ne e gjejmë veten diku” – tha Hasani.

Arsim Gjinovci, po ashtu sigurim në FShMN u ankua për dallimin e pagave mes punëtorëve fizikë e teknikë nëpër institucione të ndryshme publike.

“Nëpër tërë ministritë, nëpër krejt vendet ku janë privat është paga përmbi 400 euro. Këtu është hap tenderi me 322 euro, afër 323 euro paga bruto, që do të thotë as 300 euro nuk i bjen me i marrë pagë neto” – u shpreh ai.

Punëtorët fizikë e teknikë të Universitetit të Prishtinës në grevë më 16.02.2024

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi tha se greva po respektohet nga të gjithë punëtorët.

“Kemi kërku 400 euro neto dhe të martën i kemi lënë hapësirë dialogut, nëse janë të gatshëm për të dialoguar” – tha Azemi për KALLXO.com.

Jusufi shtoi se para dy ose tri javësh u është ofruar shuma rreth 320 euro, por tha se nuk kanë pranuar.

“Kemi dialogu para dy-tri javësh me sekretarin e rektoratit të UP-së dhe ai ka ofru një shumë rreth 320 euro të cilën punëtorët nuk e pranojnë dhe greva do të vazhdojë” – tregoi ai.

“Tani dihet mungesa e punëtorëve. Ka gjasa që nëse nuk rriten këto paga, të gjithë punëtorët në mënyrë të njëanshme ta shkëpusin kontratën e punës dhe të shkojnë në vende të tjera ku paguhen më shumë” – shtoi ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Universitetit të Prishtinës lidhur me këtë çështje dhe është munduar që të kontaktojë rektorin e UP-së, Qerim Qerimi dhe sekretarin, Besfort Krasniqi përmes telefonit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Gjatë vizitës së KALLXO.com në këto fakultete u panë disa hapësira të papastra, si pasojë e grevës.