PSD nuk cakton deputetë për ta prezantuar Projektligjin për faljen e gjobave, Kuvendi e shtynë për një seancë tjetër

Partia Social Demokrate (PSD), si iniciuese e Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë, nuk ka caktuar ndonjë deputet të Kuvendit të Kosovës për t’ia prezantuar këtë projektligj.

Kështu ka njoftuar kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca, teksa ka njoftuar se vendimi për mënyrën e prezantimit të këtij projektligj është caktuar në mbledhje të Kryesisë.

“Në mbledhje të Kryesisë kemi marrë vendim në unanimitet, të gjitha partitë politike, që propozuesi i këtij projektligji që ka ardhur në formën e një peticioni në Kuvend, prej propozuesit t`i bartet një deputeti që ata e caktojnë që ta prezantojë këtë projektligj para Kuvendit, dhe deri tash nuk kemi pasë prej organizatorit ndonjë përfaqësues që ta caktojë”- ka thënë Konjufca.

Tutje ai ka shtuar se deri në caktimin e ndonjë deputeti për prezantimin e këtij projektligji, kjo çështje mbetet të trajtohet në njërën prej seancave të ardhshme.

Në rend të ditës në seancën e sotme, ka qenë shqyrtimi në parim i Projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19.

Projektligji është dorëzuar në Kuvend në qershor të vitit 2021, pas mbledhjes së më shumë së 11 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Përmes nismës legjislative, në formë peticioni, Projektligji në fjalë është iniciuar në Kuvend nga Partia Social Demokrate (PSD).

Numri i gjobave të cilat parashihet të falen nëse Projektligji merr dy here votat e nevojshme, është 329 mijë gjoba.

Sipas Policisë së Kosovës, ky numër i gjobave është shqiptuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit anti-Covid.

“Që nga hyrja në fuqi të ligjit anti-Covid (26.08.2020) dhe deri në qershor të këtij viti, bazuar në këtë ligj, Policia e Kosovës ka shqiptuar për mosrespektim të masave anti-Covid-19 mbi 329.000 gjoba”- thuhet në përgjigjen e PK-së për KALLXO.com.

Peticioni i mbi 11 mijë qytetarëve për faljen e gjobave gjatë pandemisë COVID-19, kërkon mbështetjen e Kuvendit