Foto: PSD/Facebook

PSD dorëzon para qeverisë peticionet për marrëveshjet që LVV dikur i kundërshtonte

Partia Socialdemokrate (PSD) ka dorëzuar mbi 200 mijë peticione para objektit të qeverisë lidhur me marrëveshjet që dikur LVV i kundërshtonte.

Në mesin e këtyre marrëveshjeve është edhe ajo për energjinë, që së fundi u arrit një dakordim në Bruksel me palën serbe, pa u bërë ndryshim nga ajo që kundërshtohej në vitin 2015.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha para mediave se sot qeveria Kurti është duke e bërë atë që dikur e kundërshtonte.

Ai numëroi disa prej marrëveshjeve që LVV i ka kundërshtuar e që tani po nënshkruhen.

“Siç e dini të gjithë më 21 qershor qeveria Kurti e ka nënshkruar një urdhër rrëfyes për zbatim të marrëveshjes 2013/15. Sipas nesh, kjo marrëveshje është në logjikën e vjetër, të ndarjes etnike në Kosovë. Këtu i kemi sjellë 205 mijë nënshkrime të qytetarëve që e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, në tekstin e nënshkruar të vitit 2015 kundërshtohet edhe marrëveshja për energjinë, ku edhe citoi një pjesë të tekstit.

“Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës të nënshkruar në këtë peticion i kundërshtojmë katër marrëveshjet  e datës 25 gusht 2015 që lidhen me asociacionin, barrikadat në veri, kodin telefonik dhe marrëveshja për energjinë e demarkacionin”, shtoi tutje Molliqaj.

“Këto marrëveshje me Serbinë e ndanë Kosovën në vija etnike që rrezikon copëtimin e territorit dhe çon drejt një bashkëqeverisje të Kosovës me Serbinë. Qytetarët e Kosovës nuk i kanë dhënë mandatin qeverisë për marrëveshje të tilla”, shtoi më tej Molliqaj.

Kryetari i PSD-së, ka folur edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai tha se Qeveria duhet të marr përgjegjësitë për këtë proces, ashtu siç do merrte edhe meritat.